Deputetët e Kuvendit mbajnë një minutë heshtje në nderim të Jorgo Papingjit
Me propozim të deputetes së Partisë Socialiste, Mimi Kodheli deputetët e Kuvendit kanë mbajtur një minutë heshtje në nderim të mjeshtrit Jorgo Papingji, i cili u nda sot nga jeta në moshën 82-vjeçare.
Kodheli i kërkoi kolegëve që jashtë rregullores ta nderojnë figurën e poetit të mijëra këngëve shqiptare.
Deputetja socialiste tha se shumë gjenerata janë rritur me veprën e Jorgo Papingjit.
“Dy orë më parë ka ndërruar jetë mjeshtri i madh Jorgo Papingji. Janë disa gjenerata këtu që janë rritur me veprën e tij. Ndaj e shikoj të rëndësishme që ne të mbajmë një minutë heshtje. Më lejoni që tua propozoj këtë gjë. Në nderim të veprës së tij të mbajmë një minutë heshtje”, tha Mimi Kodheli.
Reagimi i Kryeministrit
Kryeministri Edi Rama në një mesazh mbrëmjen e sotme shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të poetit dhe autorit të shumë teksteve të këngëve, Jorgo Papingji.
“Lamtumirë maestro Jorgo Papingji, autori i teksteve të dashurisë në koleksionin e këngëve më të kënduara shqiptare. U prehsh në paqe”, tha Rama në rrjetet sociale.

Reagon Kryetarja e Kuvendit
Kryeparlamentarja Nikolla vlerëson poetin e njohur, Mjeshtrin e Madh, Jorgo Papingji.
“Artisti poet Jorgo Papingji, Mjeshtër i Madh, autori i mijra teksteve të këngëve shqiptare, bashkoi me tingujt muzikorë frymëzimet dhe ndjenjat e holla të bukurive të jetës dhe botës shqiptare.
Disa breza jemi rritur me këngët e Mjeshtrit Papingji, kushtuar dashurisë, jetës, mallit, bukurisë, gëzimeve, vuajtjeve e dhimbjeve njerëzore, ëndrrave e dëshirave, natyrës, dhe natyrisht, atdheut. Mirënjohje për pasurinë e bukur që na le! U prehsh në paqe, Mjeshtër!”
Reagon kryetari i PL
Kryetari i Partise se Lirise Ilir Meta ne rrjetet sociale tha: "Shuhet poeti i mbi 4 mijë këngëve, Mjeshtri i Madh, Jorgo Papingji! Vargjet e tij të mrekullueshme të përkthyera në tinguj të paharruar dhe frymëzues muzikorë do të jetojnë gjithmonë! Ngushëllimet më të ndjera familjes, kolegëve dhe të gjithë artdashësve!
“I thash nipit më dëgjo,
Mund ta bredhësh botën mbarë,
Veç një gjë mos e harro,
Se në shpirt ke le shqiptar”.



