Akti normativ i Buxhetit 2024, Xhixho: Nuk shkon për rritje pensionesh e paga mësuesish, por për oligarkët
Përmes një video-mesazhi në Facebook, deputetja e Partisë së lirisë, Erisa Xhixho shprehet se akti normativ për buxhetin 2024 nuk përfshin rritje për pensionet dhe pagat mësuesve, por shkon vetëm për oligarkët.
Xhixho: Diskutojmë sot një akt normativ për rishikimin e buxhetit pak më shumë se dy muaj pasi u miratua me votat e maxhorancës në vetëm 7 min. Kemi pasur rritje të buxhetit në masën 10.8 miliardë lekë dhe këto janë para që kanë ardhur nga taksat tona, nga TVSH, sigurimet shoqerore, rritja e çmimeve.
Pra, janë plot 7.9 miliardë lekë, rreth 80 milionë dollarë, që i korrespondojnë rezultatit të akumuluar financiar të Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Emergjente do të ishte që ato të shkonin për rritjen e pensioneve për mijëra të moshuar në të gjithë vendin, të cilët nuk i plotësojnë dot vetes as nevojat bazike. Jemi vendi me pensionet më të ulëta në rajon dhe prapë se prapë, paratë e akumuluara nga sigurimet shoqërore nuk i kthejmë te ata që kanë kontribuuar një jetë për sistemin. Në zonat urbane, pensioni mesatar është 188 mijë lekë të vjetra. Në zonat rurale, pensioni i pleqërisë është 112 mijë lekë të vjetra.
Kuptoni që për pensionistët të blesh fruta e perime është luks, të përballojnë koston e ilaçeve për shëndetin e tyre është i pamjaftueshëm dhe shyqyr që janë fëmijët që i ndihmojnë, mos flas për të bërë një jetë dinjitoze për ata që i kanë shërbyer këtij vendi. Ne sot nuk i japim dinjitet dhe një pension për të përballuar një jetë modeste në vendin e tyre.
Ndërkohë, pjesa tjetër e të ardhurave janë 2.8 miliardë lekë, afërsisht 28 milionë dollarë, që kanë ardhur si rritje e të ardhurave tatimore. Pra janë para që janë gjeneruar nga qytetarët, të cilët paguajnë më shumë për shkak të çmimeve të rritura. Janë me mijëra familje në nevojë, studentë e të papunë që përballen çdo ditë me dyfishimin e kostos së jetesës, ku vetëm qeraja ka shkuar 300-400 euro në muaj dhe prindërit e tyre janë kontribuues të rregullt në të ardhurat e buxhetit. Por këto para të akumuluara nuk do të kthehen tek ata në trajtë paketash mbështetëse sociale të drejtpërdrejta.
Fatkeqësisht, këto para nuk do të shkojnë as për të mbështetur arsimin. Në përpjekje për të mbushur universitetet që po boshatisen, në qershor të vitit të kaluar qeveria përdori mashtrimin me bursa. Premtimin se studentët e degëve prioritare do të trajtohen me bursa në masën e një page minimale 400 mijë lekë të vjetra pa asnjë kriter mesatareje, qeveria e përdori si karrem për të rritur regjistrimet në këto degë.
VKM e qershorit 2023 është shkelur me të dy këmbët nga vetë qeveria, e cila ka ndryshuar rregullat pasi siguroi se degët prioritare nuk do të mbylleshin. Nga 346 studentë të Universitetit Bujqësor, që prisnin të përfitonin nga VKM e qeverisë për bursat, kanë përfituar vetëm 80! Paratë që qeveria kërkon të shpërndajë nuk do të shkojnë as te këta studentë të mashtruar! Qeveria ka plane të tjera! Sepse një qeveri që nuk e ka pasur kurrë prioritet pensionistët, mësuesit apo studentët, do të bëjë gjithçka për t’i kanalizuar paratë në xhepat e klientëve.
Pjesa më e madhe e parave që qeveria shpërndan sot do të shkojnë për portin e Durrësit. Këto para që qeveria parashikonte të ishin investim i huaj do të dalin nga xhepat e qytetarëve më të varfër në Europë. Ndaj qeveria ka gjithë këtë urgjencë vetëm dy muaj pasi po me votat e veta miratoi buxhetin. Sepse i duhen paratë e pensionistëve të varfër shqiptarë për projektin 430 milionë euro të portit të Durrësit. I duhen paratë e studentëve të mashtruar me bursa për të kënaqur klientët e vet.
Në aktin normativ që shqyrtojmë sot, qeveria ka parashikuar një garanci të re shtetërore prej 4 miliardë lekësh në mbështetje të bizneseve private të sektorit të industrisë përpunuese. Në fakt, kriza e eksportuesve dhe biznesit fason nuk lindi sot. Bizneset fason kanë ngritur prej kohësh alarmin. Eksportuesit kanë muaj që ankohen për krizën në të cilën i ka futur mbiçmimi artificial i lekut dhe rënia e euros. Kriza ka qenë aty prej muajsh, qeverisë iu kujtua tani që i duhet një akt normativ për portin e Durrësit. Kur 3000 mijë familje u hodhën në rrugë dhe shumica gra e vajza që sot nuk kane asnjë mundësi punësimi.
Një akt normativ duhet nxjerrë në kushtet e nevojës dhe urgjencës, kur zgjidhja e problematikës nëpërmjet procedurës së zakonshme ose të përshpejtuar nuk sjell efikasitet dhe shpejtësi në zgjidhjen e nevojës. Ndryshimet e propozuara nga qeveria nuk përmbushin kriterin e nevojës dhe as të urgjencës, sepse pothuajse asnjë nga propozimet që u takon zërave të shpenzimeve nuk mund të konsiderohen urgjencë për sa kohë këto shpenzime apo nevoja ishin të parashikueshme dhe duhej të ishin sistemuar në propozimin për miratim të Ligjit të Buxhetit të vitit 2024. Pra, kemi përpara një akt normativ sepse para sëgjithash ai i duhet qeverisë dhe jo qytetarëve!
Miratimi i ndryshimit ndërmjet Aktit Normativ tëLigjit të Buxhetit të vitit 2024 jo më larg se tre muajnga miratimi i tij është tregues i mosrespektimit të Parlamentit. Është njëkohësisht dominimi i Parlamentit nga ekzekutivi duke e vënë para faktit për miratim të shtesave në raport me Ligjin Fillestar të Buxhetit të vitit 2024. Kjo qeveri ka treguar se nuk e respekton Parlamentin dhe përpiqet ta kthejë atë në noter të vendimeve të veta. Fatkeqësisht, edhe ia ka dalë. Sot po tenton sërish, jo se do të përmirësojë jetën e shqiptarëve, por për të ushqyer aferën miliarda euro të portit të Durrësit.
