Berisha “zbërthen” skemën se si rrogat dhe pensionet rriten me 50%: Buxheti, për investime korruptive

Ish kryeministri Sali Berisha gjatë fjalës në tubimin qytetar, deklaroi se buxheti i shtetit po shkon për investime korruptive të qeverisë Rama.

Berisha tha, se sikur një e shtata e shpenzimeve të buxhetit të shkonin për qytetarët, rrogat dhe pensionet rriteshin me 50 %.

Pjesë nga fjala e Berishës:  

Misionare dhe misionarë, qendrestare dhe qëndrestarë të të vërtetës, dinjitetit dhe shpresës.

Një përshëndetje të përzemërt dhe mirënjohje të pakufishme ju, për qëndresën tuaj.

Një përshëndetje të përzemërt oratorëve, të cilët nga platforma e parlamentit të lirisë përhapin dritë në mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë.

Të dashur miq, sot parlamenti trajtoi ndër të tjera një seri problemesh.

Por përsëri, narko-qeveria injoron në mënyrën më totale qytetarin dhe qytetarët.

Miqtë e mi, buxheti i këtij viti parashikon rreth 7 miliardë euro shpenzime.

Në qoftë se bën një analizë, në këto 7 miliardë euro, qytetari, pensionisti, i sëmuri, studenti, nxënësi, rrogëtari janë më të përçmuarit.

Në emergjencën që jeton Shqipëria, në tiraninë e varfërisë që bëhet çdo muaj dhe vit më e rëndë, akti i parë, që duhej të vendosej, duhej të ishte të paktën një e shtata e kësaj shume t’u kushtohej pensionistëve, rrogëtarëve, fëmijëve, qytetarëve.

Në qoftë se një të shtatën e kësaj shume, në këto kushte, do vendosnin t’ia kushtonim qytetarëve, brenda një muaji të gjitha rrogat dhe pensionet në Shqipëri do rriteshin me 50 përqind.

Pra, në qoftë se edhe në vitin e ardhshëm, duke vendosur investimin tek qytetari të parin, do t’i rrisnim, do të përkushtonim një të shtatën e shpenzimeve, pensionistëve, rrogëtarëve, rrogat dhe pensionet do rriteshin 100 përqind krahasuar me këtë vit.

Për ata, të cilët me skepticizëm dëgjojnë për rritjen e rrogave, u them se absolutisht mundësitë më reale, por nuk ka shpirt, nuk ka zemër që t’ju ndjejë problemet që përballen sot qytetarët.

Miqtë e mi, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se në një vit shpërdorohen pothuajse një e shtata apo 930 milionë euro.

Pra, vetëm shpërdorimin në qoftë se do luftonin, ne rrisnim me 50 përqind rrogat dhe pensionet vitin e parë, po kaq vitin e dytë, dyfishoheshin dhe vazhdonte rritja drejt objektivit, drejt dyfishimit tjetër dhe shqiptarët do ndjenin se janë duke u begatuar, se po shkëputen me shpejtësi nga varfëria dhe se vendi i tyre po i begaton ata.

Po çfarë ndodh me këtë buxhet të dashur miq?

Dy janë tiparet më kryesore, por edhe më të zeza të tij.

Nga 7 miliardë euro taksa tuajat, vetëm 38 milionë euro janë lënë për pensionet.

Pra, 680 mijë pensionistë nuk kanë rritje më shumë se 2 përqind, në një kohë kur inflacioni është 3 pikë sa përqind.

Pra, ata do marrin këtë vit 1 përqind më pak se vitin e kaluar. Dhe në total pensioni i tyre është 30-40 përqind më i ulët se sa ç’ishte 6 vite më parë.

A ecet në këtë mënyrë?

Ky është një përçmim i turpshëm.

Ky është buxheti i pashpirtësisë.

Sa janë fondet për të përndjekurit politikë? 250 përqind më pak se sa ç’ishin në vitin 2013.

Me këto ritme, me këto 10 milionë euro, as për gjysmë shekulli nuk marrin dëmshpërblimin e tyre.

Po pronarët?

Miqtë e miq, në vitin 2013 ne lamë 76 mijë hektarë tokë për të kompensuar pronarët.

Të gjitha këto miqtë e mi, pronarët duhet ta dinë se qeveria e PD jo vetëm ktheu me kthim dhe kompensim 2 miliardë e 577 milionë e 400 mijë metër katrorë tokë, troje, tokë bujqësore, kullota, pronarëve legjitimë, por ajo la rezervë për të shlyer në mënyrë përfundimtare çdo metër tokë të zënë, pronarëve legjitimë.

Ku shkuan këto? Edi Rama ua dha investitorëve strategjikë.

Ua dha të gjitha trafikantëve të drogës, vrasësve, ministrave, zyrtarëve të tij të lartë.

Dhe tani tallet me një shumë qesharake për kompensimin e pronarëve.