PL kërkon lista të hapura, Meta: Partia e Lirisë, viktimë e lojërave të reformës zgjedhore
Listat e hapura duhet të jenë prioritet për të siguruar zgjedhje të lira.
Ky ishte qëndrimi i kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili do të ketë të drejtën e një anëtari në mekanizmin ku do shqyrtohen cështjet e rëndësishme në varësi të komisionit të ligjeve.
‘’Absolutisht PL ka qenë gjithnjë e hapur për listat e hapura dhe të hapura në mënyrë reale jo me truke që nuk i shërbejnë përzgjedhjes së vërtetë të qytetarëve’’, tha Meta.
Nuk munguan as akuzat ndaj qeverisë për aksin Korçë-Ersekë për të cilin paralajmëroi se do kërkojë interpelancë në parlament.
‘’Është e qartë se rrugët janë instrumenti sesi Rilindja të vjedh dhe të zhvasë sa më shumë shqiptarët në emër të gjoja investimeve publike’’, tha Meta.
Korrupsioni në institucionet shtetërore sipas kreut të PL-së po shkatërrojnë bizneset e vogla, fasoneritë dhe pensionistët.
‘’Është Edi Rama përgjegjësi kryesor që po penalizohet qytetari shqiptar, taksapaguesit shqiptarë’’, tha Meta.
Edhe shpopullimi ishte një tjetër çështje e cila u prek nga ish-Presidenti.
Duke treguar dhe statistikat e eurostat, Meta u shpreh se për shkak të keqqeverisjes, Shqipëria është një nga vendet më të palumtura në botë.
