"Pse DEA kërkoi komunikim me qytetarët?" Todd D. Robinson: Janë ata që preken drejtpërdrejt dhe duhet të kenë një vend të besueshëm ku të raportojnë
Në një intervistë në “Top Story”, Ndihmës-Sekretari i Shtetit për Narkotikët dhe Ligjzbatimin Todd D. Robinson, u ndal ndër të tjera edhe te goditja e krimit të organizuar në vendin tonë.
Gjatë intervistës ai tha se gjatë një vizite në Peru dhe Ekuador kohët e fundit, vërejti praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine. Ai shtoi po ashtu se vërehej bashkëpunimi që kanë patur nga institucionet shqiptare, “policia prokurorët dhe ndonëse kjo marrëdhënie sapo ka filluar, ka filluar pozitivisht”.
I pyetur nëse Shqipëria është një nga portat hyrëse të kokainës në Europë, ai u përgjigj: Përgjigja e shkurtër është që po. Por përgjigja më e ndërlikuar është se sigurisht, Shqipëria nuk është e vetmja pikë hyrëse për Europën për të gjitha këto.
“Do thoja se kriminelët e organizuar shqiptarë ndërkombëtarë janë në të gjithë botën. Ata kanë gjetur rrjete të mëdha kriminale me të cilat bashkëpunojnë. Dhe ata po mundohen në mënyrë aktive të dëmtojnë vendet tona, sistemet tona të drejtësisë.
Ata po korruptojnë institucionet dhe po përfitojnë shumë nga veprimtaria e tyre kriminale. Siç e thashë më parë, është me rëndësi që ne të bëjmë gjithçka mundemi për t’u dhënë institucioneve shqiptare mjetet për të ndjekur ato grupe kriminale që veprojnë këtu në Shqipëri, ato që veprojnë në vende të tjera europiane dhe ato që po nisin të veprojnë në pjesët e tjera të botës. Për sa kohë ato vazhdojnë aktivitetin e tyre, bashkësia ndërkombëtare, qeveritë tona, kemi detyrimin të bëjmë gjithçka mundemi për t’i luftuar. Të mëdhenj apo të vegjël, nuk ka rëndësi, ne duhet të bëjmë ç’mundemi për t’i luftuar këto rrjete”, u shpreh Robinson.
Ndërkohë Robinson i është përgjigjur edhe pyetjes se pse DEA ka vënë në dispozicion kontakte për qytetarët, në vend që ta kishte këtë marrëdhënie vetëm me institucionet shtetërore, gjatë përgjigjes ai ka lënë të kuptohet se kjo gjë është bërë për shkak të besueshmërisë së ulët të institucioneve dhe se qytetarët duhet të kenë një vend të sigurtë dhe të besueshëm ku të japin informacionin.
Anila Hoxha: Këtu në Shqipëri, Agjencia kundër Drogës (DEA) ka vendosur dy kontakte – në ËhatsApp dhe një adresë email – për këdo që mund të informojë në lidhje me çështje të drogës dhe pastrimit të parave. Pse u vendos ky kontakt i drejtpërdrejtë me qytetarët? Pse kërkuat informacione drejtpërdrejt prej tyre?
Todd D. Robinson: Roli i qytetarëve në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë është në krye. Është përgjegjësia e kujtdo që t’i bashkohet kësaj lufte. Përgjegjësia e qeverisë është e madhe, por edhe qytetarët shqiptarë luajnë rolin e tyre. Janë ata që preken më shumë nga kjo pandëshkueshmëri, nga ky korrupsion dhe duhet të kenë një vend ku të shkojnë dhe t’i thonë dikujt se çfarë po ndodh dhe të raportojnë se çfarë është e gabuar dhe të presin që institucionet qeveritare do të bëjnë pjesën e tyre dhe detyrën e tyre për t’i ndjekur këto dhe për të kryer hetimet që janë të nevojshme për t’i sjellë përgjegjësit përpara drejtësisë.
Anila Hoxha: Bazuar në informacionet që ju dispononi, a janë treguar të gatshëm shtetasit shqiptarë që të japin informacione të rëndësishme për narkotrafikun dhe pastrimin e parave që vijnë nga droga?
Todd D. Robinson: Me sa kam kuptuar, sistemi po funksionon shumë mirë, shqiptarët në fakt po luajnë rolin e tyre dhe institucionet shqiptare e mirërpresin këtë informacion.
Anila Hoxha: A mund të themi se këto dy pika kontakti për të informuar dhe për të qenë në kontakt me DEA-n u vendosën pikërisht edhe për shkak të prezencës së shtuar të grupeve shqiptare në Amerikën Latine?
Todd D. Robinson: Absolutisht. Ajo që kemi parë është se këto rrjete kriminale ndërkombëtare shqiptare, meksikane, kolumbiane, nuk respektojnë kufij. Janë institucione globale. Keni praninë e rrjeteve kriminale shqiptare në Amerikën Latine, keni praninë e rrjeteve kriminale meksikane dhe kolumbiane në Europë dhe Azi. Ajo që është e qartë është se në shumë mënyra, ata punojnë bashkë për ta vazhduar veprimtarinë e tyre të jashtëligjshme. Dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të punojë më mirë për të bashkëpunuar përtej kufijve, duke respektuar kufijtë e njëri-tjetrit, por përtej kufijve me shkëmbim informacioni dhe duke ndihmuar me operacionet. Nëse nuk e bëjnë, fitojnë kriminelët. Dhe nëse e bëjnë, atëherë bëjmë shumë përparim drejt heqjes së atyre fitimeve nga duart e këtyre rrjeteve kriminale, fitime që lejojnë korrupsionin, fitime që lejojnë pandëshkueshmërinë. Nëse mund t’ua heqim nga duart këtë, do kemi bërë shumë përparim drejt ndalimit të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë që na prek të gjithëve.

