Bardhi: PS po bën terror në administratë për anëtarësime në parti
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi denoncoi këtë të marte atë që ai e quan presion ndaj administratës.
Duke u ndalur tek anëtarësimet e reja në PS Bardhi tha se partia Socialiste po kërcënon punonjësit e administratës dhe ata të shërbimit civil për tu anëtarësuar në PS.
Bardhi: E dini çfarë po ndodh?
Del dhe krenohet për anëtarësimet e reja në partinë Socialiste, po shkoni pak dhe pyesni çfarë terrori po ndodh në administratën publike.
Çdo punonjës i administratës publike i shërbimit civil, që ka punuar me Partinë Demokratike, me Partinë Socialiste, kurrë nuk janë kërcënuar me bukën e gojës për tu anëtarësuar në një parti politike.
Sot që flasim janë nën terrorin e bandës shtetërore me në krye Edi Ramën, ose të anëtarësohen në Partinë Socialiste ose të japin dorëheqjen për tu larguar nga shërbimi civil ose administrate publike.
A mund të jetë ky një vend kandidat për në Bashkimin Europian?
A është ky një vend anëtar i NATO-s që kërcënon punonjës 30-vjeçar të administratës dhe shërbimit civil që nëse nuk anëtarësoheni në një parti politike do të largohen nga puna?
Këta njerëz që i shërbejnë shtetit shqiptar, që kanë punuar me çdo qeveri dhe do të punojnë me çdo qeveri sa kohë janë profesionistë në administratë nuk mund të kërcënohen me bukën e gojës nga asnjë parti. Kjo po ndodh sot.
