Kikia: Absurde e dëshpëruese që Komisionit për Reformën Zgjedhore i mbaron mandati pa bërë asgjë
Nën drejtimin e 2 bashkëkryetarëve, socialistit Damian Gjiknuri dhe demokratit të Bashës, Enkelejd Alibeaj, Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore mbyll të enjten mandatin e tij.
Dhe në këto dy vite nuk ka asnjë vendim të marrë nga ky komision.
Lidhur me këtë çështje analisti Mentor Kikia në një intervistë në studion e lajmeve në “Ora News” shprehu zgjënjimin e tij nga veprimtaria e këtij komisioni që duhej të ndërmerrte reformën më të rëndësishme për vendin.
“Është absurde dhe dëshpëruese që Komisionit për Reformën Zgjedhore i mbaron mandati pa bërë asgjë.
Një komision që për dy vite nuk ka marrë asnjë vendim. komisioni më i rëndësishëm politik në Shqipëri, dhe në 4 vite nuk bën asgjë. Dhe kjo është dëshpëruese në fakt.
Duhet të kujtojmë se ky komision u ngrit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2021. Dhe të vetmet vendime që ka marrë kanë qenë atoi të caktimit se kur do ishte mbledhja tjetër.
Dhe ata duhej të kishin shërbyer për të përmirësuar ligjin zgjedhor dhe do duhej të ishin reflektuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe dy vendimet e Gjykatës Kushtetuese për herësin dhe rolin e kryetarit. Dhe mbi të gjitha një çështje e pazgjidhur mbetet dhe ajo e votës së emigrantëve.
Dhe as këto vendime nuk u zbatuan edhe nuk kishte nevojë për një vendim politik, pasi këto janë vendime që burojnë nga gjykata dhe si të tillë thjesht duheshin zbatuar”, theksoi ndër të tjera analisti Mentor Kikia.

