Investimi i Kushner në Sazan, Bardhi i vakët në reagim: Mbështesim investimet e huaja, por duhet transparencë
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, duke iu përgjigjur interesit të medieve lidhur me projektin e sipërmarrësit amerikan Jared Kushner në Sazan, tha se Partia Demokratike mbështet në parim çdo investim të huaj.
Sipas tij, investime të kësaj natyre duhet transparencë dhe analizë e plotë e përfitimeve që kanë shqiptarët.
“Nuk ka asnjë të dhënë apo projekt konkret që të marrë vëmendjen që do duhet të marrë nga grupi parlamentar i PD. Në parim, ne mbështesim çdo investim të huaj”, nënvizoi Bardhi.
“Rikonfirmojmë qëndrimin tonë, që çdo miratim i huaj do duhet të miratohet me transparencë të plotë, në përputhje me ligjin, me garë të hapur dhe përmes një analize të plotë të përfitimeve nga këto investimeve, apo nga një investim konkret që përfitojnë qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Ne nuk paragjykojmë asnjë investim. Jemi Partia Demokratike, një nga objektivat tona, apo alternativave tona, është përthithja e sa më shumë investimeve të huaja dhe investitorëve të huaj”, tha Bardhi.
“Edhe nisma fillestare e ligjit për investimet strategjike ishte për të thithur investues të huaj. Rama e përdori për t’i dhënë investime strategjike 5 individëve, pa patur asnjë investues të huaj. Projekti do duhet të jetë transparent. Garë dhe konkurrueshmëri se cili është projekti më i mirë, dhe që ka dobi për qytetarët shqiptarë”, përfundoi Bardhi.
