Rama: Pas 30 vitesh, më në fund edhe Shkodra do të ketë semaforë

Në qytetin e Shkodrës po punohet për vendosjen e semaforëve, për të mundësuar zgjidhje për lehtësimin e lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna për vendosjen e semaforëve në qytet, i cili në 30 vite nuk ka pasur asnjë të tillë.

“A e dini se Shkodra s’kishte asnjë semafor, as edhe një, qoftë edhe një shtyllë semafori të ngulur si tentativë, në 30 vjet liri-demokraci?

Tani jo për të ngacmuar të vdekurit e pakallur, as për të thënë largqoftë se çoç po ndodh, po fakti që më në fund edhe Shkodra do të ketë semaforë, është mbase shembulli më ulëritës mes mijëra shembujve të cilët tregojnë pse e vetmja forcë civilizimi, progresi, modernizimi në Shqipëri, është Partia Socialiste”, tha Rama.

Puna e bashkisë Shkodër vazhdon në të gjithë territorin e saj jo vetëm në lirimin e hapësirave publike, por edhe me investime të munguara në infrastrukturën e kësaj bashkie, për lehtësimin e lëvizshmërisë së këmbësorëve dhe mjeteve.