Ndërtonte pa leje tek “Syri i Kaltër” në Sarandë, pranga 33-vjeçarit

Policia e Vlorës ka arrestuar sot një 33-vjeçar, i cili është kapur duke ndërtuar në mënyrë të paligjshme pranë “Syrit të Kaltër” në Sarandë.

Sipas njoftimit të Policisë së Vlorës, bëhet me dije se: “Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare, bazuar në informacionet e marra se një shtetas po kryente punime ndërtimi, pa leje, në zonën e quajtur “Syri i Kaltër”, Sarandë, kanë ushtruar kontroll në zonë. Nga kontrollet u konstatua se shtetasi H. Gj. kishte nisur të ndërtonte një objekt, në tokë publike, në parkun natyror, pa lejen e organeve kompetente.”

“Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare u ndalua me iniciativë shtetasi H. Gj., 33 vjeç, banues në Sarandë. Gjatë shoqërimit, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe nuk i është bindur urdhrit të tyre për kryerjen e veprimeve procedurale. Vijon puna për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të punonjësve të IVMT dhe të Policisë Bashkiake Finiq, të cilët dyshohet se me mosveprimet e tyre, kanë lejuar ndërtimin e paligjshëm. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia e Vlorës.