Balla: Lufta kundër drogës, një sfidë globale, tashmë fentanoli është prezent edhe në Evropë

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi sot se, “lufta kundër drogës është një sfidë globale”.

Në një komunikim në përfundim të Takimit të Nivelit të Lartë të Komisionit të Drogave dhe Krimit UNODC në Vjenë, ku Shqipëria bëhet anëtare e Koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogave Sintetike të propozuar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Balla u shpreh se, “sikurse e tha Sekretari i Shtetit Blinken, në fjalën e tij gjatë takimit të nivelit të lartë, që u mbajt këtu në Vjenë lidhur me luftën e përbashkët kundër drogave sintetike, të cilat tashmë janë një rrezik në shumë vende”.

“Shembulli më kuptimplotë i kësaj që solli Sekretari Blinken për SHBA, ku fentanoli është vrasësi kryesor i jetëve në moshën 18-45 vjeç në SHBA”, nënvizoi Balla.

Po ashtu, shtoi Balla, “nuk janë vetëm SHBA. Tashmë fentanoli është prezent edhe në Evropë, dhe ku duhet të bashkëveprojmë të gjithë për të krijuar një strategji për të parandaluar të gjitha rreziqet që vijnë nga përdorimi i kësaj droge”.

Për këtë qëllim, vijoi ai, “Shqipëria është tashmë anëtare e koalicionit global kundër rreziqeve, që sjellin drogat sintetike. Na duhet që edhe ne të përgatitemi në kohë, duke ngritur një sistem dhe po ashtu një Observator të lëndëve narkotike, në mënyrë që të parandalojmë, qoftë hyrjen dhe, mbi të gjitha, përdorimin e këtyre lëndëve narkotike nga të rinjtë e kushdo tjetër, edhe në Shqipëri”.

“Na duhet që të koordinohemi me të gjitha vendet e rajonit dhe po ashtu edhe me BE-në, në mënyrë që t’i bëjmë ballë kësaj sfide të re. Prandaj Paketa e Sigurisë në Shkolla e ka pasur dhe do të vazhdojë ta ketë në fokusin e vet luftën kundër çdo lloj forme të lëndëve narkotike”, theksoi Balla.