“Zgjedhorja”, në ngërç/ Gerta Meta: Mungon vullneti i palëve për një reformë që do të garantojë zgjedhje të lira
Ekspertja Zgjedhore Gerta Meta, në një intervistë për “Ora News”, foli në lidhje me ecurinë e Reformës Zgjedhore dhe çfarë pritet të ndodhë pas marrëveshjes së arritur mes socialistëve dhe demokratëve të Rithemelimit.
“Çështja e komisionit të reformës zgjedhore vijon të jetë në një lloj ngërçi dhe shumë larg asaj për të pasur një reformë konkrete zgjedhore, kjo sa i përket dëshirës dhe vullnetit të palëve për të realizuar një reformë zgjedhore që do t’i shërbejë realizimit të zgjedhjeve të ndershme, transparente dhe demokratike në vend.
Ne kemi qenë aktivë sa i përket propozimeve konkrete si shoqëri civile për atë çfarë i duhet reformës zgjedhore.
Por shikojmë që jemi në një bllokim dhe në atë pjesën ku dy bashkëkryetarët e komisionit që është në përfundim të mandatit të tij kanë kërkuar asistencën e ndërkombëtarëve për ndryshimet finale.
Por kjo mesa duket është një mision shumë i vështirë”, u shpreh ndër të tjera ekspertja Gerta Meta.
Ajo theksoi se shqetësimi që kanë është se si do të vlerësohet vota e emigrantëve ku tashmë kemi dhe një ngërç të krijuar nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese, dhe nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me mënyrën se si do të realizohet votimi i tyre.
Po ashtu Meta tha se nuk dimë edhe se si do të realizohet premtimi për financimin e partive politike, ku ka dyshime për pastrime poarashë dhe para të pista që përdoren në zgjedhje.
Po ashtu është e paqartë se çfarë do të bëhet me premtimin për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
“Pra të gjitha këto janë paqartësi të cilat e vështirësojnë punën e të gjithë institucioneve që angazhohen në votime”, theksoi ekspertja zgjedhore Gerta Meta.


