Pengesat nga reforma e vonuar zgjedhore, Braho: Janë shumë çështje që ende kërkojnë konsensus

Disa çështje të reformës zgjedhore që kërkojnë vullnet nga palët e politikës mund të shkaktojnë vështirësi për tu aplikuar në zgjedhjet e 2025-ës. Sipas anëtarit të KAS Ledio Braho, disa pika kërkojnë konsensus politik, gjë që në komision ende nuk është pasqyruar.

Vonesat në Komisionin e Reformës zgjedhore, mund të shkaktojnë një ngërç për të aplikuar ndryshimin në ligj për zgjedhjet e 2025-ës.

Anëtari i Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve në KQZ, Ledio Braho shprehet se janë disa pika që kërkojnë konsensus politik, gjë që në komision ende nuk është pasqyruar.

Sa i përket votës së diasporës, duke u nisur dhe nga rekomandimet e palëve politike, alternativa kryesore është votimi me postë.

Por sipas ekspertit ligjor, një mundësi efikase është dhe votimi elektronik.

Një tjetër rekomandim i palëve politike, por edhe i OSBE-ODIHR është depolitizimi i anëtarëve të KZAZ dhe KQV.

Nëse miratohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i duhet të gjejë një grup të trajnuar të cilët do të menaxhojnë procesin zgjedhor.

Sipas Brahos ka disa alternativa.

Ndryshe nga PD, mazhoranca në draftin e saj nuk përmend çështjen e herësit. Për ekspertin ligjor, kjo pikë, kërkon më tepër bisedime mes partive dhe konsensus.

Afati i fundit i Komisionit të Reformës Zgjedhore është 21 marsi. Nëse dështon të votohet në parlament, ndryshimet në ligjin elektoral pritet që të diskutohen në një tjetër nënkomision dypartizan.