8 Marsi, festë apo revoltë? Sociologia: Gratë e sotme të mos vetëkënaqen, por t’i çojnë më përpara kauzat
8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas që në Shqipëri njihet edhe si dita e Nënës. Në këtë ditë shprehet mirënjohja për kontributin e madh të grave dhe vajzave jo vetëm brenda familjes por edhe në shoqëri dhe vendet e punës.
Lulet dhe dhuratat nuk mungojnë këtë ditë për të gjitha gratë dhe vajzat, ndërsa është e zakonshme organizimi në kolektiva për të festuar një ditë ndryshe, larg angazhimeve familjare apo të punës.
Për të kuptuar më shumë se 8 marsi duhet të jetë një ditë feste apo proteste në studion e lajmeve në “Ora News" ishte e ftuar sociologia Eva Sinanaj.
“Ne jemi njohur vonë me rëndësinë e ditës së 8 Marsit, pasi më përpara është kremtuar si festa e nënës dhe zonjat atë ditë i kushtonin vëmendje më të veçantë pamjes së tyre dhe aktivitetet që ato bëjnë me kolegët.

Sot ka më shumë një sensibilizim për aktivizimin e gruas si rol në shoqëri. Por atë që unë shikoj për t’u trajtuar është fakti se një pjesë e mirë e grave i marrin si të mirëqena arritjet e deritanishme të bëra sa i përket të drejtave të grave dhe nuk i marrin ato si kauza për t’i çuar më përpara përfaqësimin e tyre publik”, u shpreh ndër të tjera sociologia Eva Sinanaj.
Dita Ndërkombëtare e Gruas u shpall e tillë në kujtim të ngjarjes së 8 marsit 1857, kur rrobalarëset e Nju-Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.

100 gra nga shumë vende evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagë të Danimarkës, nën kryesinë e Klara Cetkinit, vendosën që 8 marsi të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Grave.
NDIQNI TË PLOTË BISEDËN NË STUDIO



