Aktivistja për të drejtat e grave jep alarmin, Arqimandriti: Jo vetëm dhuna, por po diskriminohen në punë
8 Marsi është Dita Ndërkombëtare e Gruas që në Shqipëri njihet edhe si dita e Nënës. Në këtë ditë shprehet mirënjohja për kontributin e madh të grave dhe vajzave jo vetëm brenda familjes por edhe në shoqëri dhe vendet e punës.
Lulet dhe dhuratat nuk mungojnë këtë ditë për të gjitha gratë dhe vajzat, ndërsa është e zakonshme organizimi në kolektiva për të festuar një ditë ndryshe, larg angazhimeve familjare apo të punës.

Për të kuptuar më shumë se 8 marsi duhet të jetë një ditë feste apo proteste në studion e lajmeve në “Ora News" ishte e ftuar Mirela Arqimandriti, Aktiviste për të Drejtat e Vajzave dhe Grave.
“Në fakt 8 marsi është një ditë për të celebruar arritjet e grave, por edhe për të protestuar për mosarritjet e tyre. Në shtëpi e kemi festuar gjithmonë, sepse më 8 Mars babai im ka pasur datëlindjen. Por në Shqipëri është kremtuar si festë, pasi e kemi këtu si festën e nënës, edhe pse në botë kjo ditë është në maj.
Në fakt kemi më shumë për të protestuar se sa për të festuar. Sepse kemi parë gjatë kësaj periudhe një dhunë të shtuar ndaj grave shqiptare. Kujtojmë vetëm marsi ka filluar me 4 viktima gra të vrara dhe viti i kaluar u mbyll me 10 gra të vrara. Jo vetëm dhuna, por edhe diskriminimi me bazë gjinore në punë është shtuar”, u shpreh ndër të tjera, Mirela Arqimandriti, Aktiviste për të Drejtat e Vajzave dhe Grave.
Dita Ndërkombëtare e Gruas u shpall e tillë në kujtim të ngjarjes së 8 marsit 1857, kur rrobalarëset e Nju-Jorkut u ngritën në protestë për të drejtat e tyre kundër shtypjes e shfrytëzimit të egër që u bëhej atyre dhe fëmijëve në punë.
100 gra nga shumë vende evropiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mbledhura në Kopenhagë të Danimarkës, nën kryesinë e Klara Cetkinit, vendosën që 8 marsi të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Grave.
NDIQNI TË PLOTË BISEDËN NË STUDIO



