Ndoka: Basha arriti t’i mashtronte demokratët dhe kishte agjendë tjetër nga ata. Kaloi ylberin dhe i bëri dëm të madh PD-së
Për kreun e demokristianëve Nard Ndoka, Lulzim Basha arriti t’i mashtronte demokratët dhe grupin parlamentar për arsyet e përjashtimit të Sali Berishës nga grupi parlamentar tre vite më parë, ndaj tha ai, edhe procesi i bashkimit të demokratëve zgjati kaq shumë në kohë.
I ftuar në studion e lajmeve në “Ora News”, Ndoka u shpreh se tashmë ky proces është i tejkaluar duke shtuar se tashmë demokratët përveç Bashës, janë të bashkuar.
“Basha arriti t’i mashtronte demokratët dhe u desh një kohë e gjatë që ata së bashku me deputetët e grupit parlamentar të kuptonin që ai kishte një agjendë krejtësisht tjetër nga ajo e tyrja, duke pranuar të bëhej dhe vegël në duart e Edi Ramës.
Dhe kjo përçarje bëri që demokratët t’i shikojnë gjërat më qetë dhe ftohtë.
Tashmë kemi një situatë krejtësisht tjetër. Kemi një bashkim real të demokratëve, me gjithë ndryshimet që kanë në qëndrime parimore, por jo thelbësisht politike.
Partisë Demokratike i duhet çdo njeri i mundshëm sot, dhe Gazment Bardhi është njëri prej tyre, dhe ka qenë numri 2 i kësaj partie për shumë kohë, dhe si i tillë nuk ka pse të shihet ndryshe.
Ai ka ditur ta ruajë busullën dhe orientimin e tij dhe ka ditur të sillet në raport me ndërkombëtarët dhe si i tillë i intereson dhe foltores vetë”, u shpreh ndër të tjera kreu i PDK-së, Nard Ndoka.


