"Gërdeci" në GJKKO, SHBA kërkon shpjegime për pyetjen e shtetasve të huaj. Mediu: Çdo akt, në përputhje me ligjin
Eshtë mbajtur këtë të mërkurë seanca e radhës gjyqësore në GJKKO për ish-ministrin Fatmir Mediu, i cili po hetohet për çështjen “Gërdeci”.
Në seancën e sotme është thirrur dëshmojë edhe Dritan Minxolli, ish-drejtori i punishtes së demontimit në Gërdec.
Minxolli ka mbërritur në ambientet e GJKKO, por duke qenë bashkë i pandehur ai ka të drejtë edhe të mos dëshmojë.
Ashtu si në të gjitha daljet e tij publike, edhe sot në përfundim të seancës Mediu ka deklaruar se nuk ka shkelur detyrën dhe ka respektuar të gjitha procedurat gjatë kohës që ka qenë ministër i Mbrojtjes.
““Mendoj se nëse ka mangësi se si ka vepruar prokuroria, nuk është përgjegjësi e mbrojtjes. Duhet ta kishin bërë dhe me dëshmitarët që ka thirrur prokuroria. Mendoj se është kompania që ka pasur kontratën. Kompania ka bërë transaksionet që ka bërë këtë proces. Kam pritur 17 vjet, jam gati te pyetem për çdo gjë”, u shpreh ish-ministri Mediu.
LETËR-POROSIA
Më herët Gjykata informoi se ministria e Drejtësisë ka dërguar letër-porosinë në SHBA për të marrë në pyetje Patrick Henry dhe përfaqësuesit e kompanisë SAK.
Dhe në kuadër të kësaj, gjykata njoftoi se ka mbërritur letërporosia nga Amerika për pyetjen e shtetasve të huaj.
“Autoritete amerikane kërkojnë që të plotësohet kërkesa e bërë nga drejtësia jonë për çështjen e Patrik Henry dhe personave të tjerë të përfshirë në hetimet e kësaj ngjarjeje.
Ata kërkojnë të dinë statusin e tyre penal, në vendin tuaj, cili është interesi i tyre për hetimin tuaj, për çfarë do shërbejnë deshmitë e tyre, pyetja mund të behet dhe me video-konferencë, seanca gjyqësore në SHBA është përcaktuar në 12 maj 2024 nëse plotësohet letërporosia”, raporton gazetari Edison Vatnikaj.
Kujtojmë se herën e kaluar seanca u shty për shkak të mosprezencës së gjyqtares kryesuese Irena Gjoka, e cila ishte angazhuar në një aktivitet.
Nga tragjedia e Gërdecit, që ndodhi në 15 mars të 2008-ës, humbën jetën 26 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.



