Thirrja për Grant 2024, Ibrahimaj ftesë sipërmarrësve: Financim deri në 9 milionë lekë

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka ftuar sot sipërmarrësit që të marrin pjesë në fazën e tretë të thirrjes për Grant 2024.

Ibrahimaj u shpreh se, në këtë fazë do të financohen deri në 9 milionë lekë sipërmarrjet e regjistruara në regjistrin tregtar në Shqipëri, të cilat tregojnë një shërbim/produkt funksional, bazë klientësh, aktivitet ekonomik të vërtetuar me potencial rritje të shpejtë brenda dhe jashtë vendit.

Ministrja Ibrahimaj u bëri thirrje të gjithë sipërmarrësve “vlerëkrijues” me një produkt ose shërbim funksional dhe një aktivitet ekonomik të ngritur. Ajo shtoi se, kjo është mundësia e duhur jo vetëm për të rritur linjën e prodhimit, por edhe për ta ndërkombëtarizuar atë.

Ibrahimaj theksoi se informacioni i duhur mbi procedurat dhe formatin e plotësimit të aplikimit gjendet i plotë në faqen zyrtare https://sipermarrja.gov.al/dokumentet-e-aplikimit-2024/