Gati aksi Elbasan – Qafë-Thanë, Balluku inspekton punimet: Nis edhe Formula 1
Në muajin prill me zgjerimin e rrugës Elbasan – Qafë-Thanë do të shmanget trafiku i automjeteve. Ministrja Belinda Balluku ka inspektuar punimet duke theksuar se shpejt do të nisë edhe projekti për “Formula 1”, pista e së cilës është në këtë aks
Brenda 6 javësh automjetet do të mund të lëvizin në autostradën dhe në aksin Elbasan – Qafë-Thanë.
Në inspektimin e punimeve ministria Balluku theksoi se hapja e këtij aksi do të shmangë trafikun.
Ngjarje të rëndësishme Balluku e cilësoi edhe zhvillimin e “Formula 1” në këtë aks. Me investimin në këtë aks Balluku shprehet se i jepet shtysë rritjes ekonomike dhe zonë dhe turizmit.
“Kur të vijë sezoni veror kjo pjesë e vështirë e kalimit në zonën e Labinot Fushë do të jetë komplet e zgjidhur, dhe ne do të jemi të gatshëm për të vazhduar me të gjithë segmentet e tjera”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Shpejtësia në këtë aks për automjetet do të jetë në normat nga 90 deri në 110 kilometër në orë.
“Sfida jonë më e madhe do të mbetet bypass-i i Elbasanit pasi kjo autostradë do të zgjidhë gjithë trafikun, por për sa kohë krijon hinkën dhe hyrjen direkt në qytetin e Elbasanit nuk do jetë një zgjidhje e plotë. Kështu që, direkt me përfundimin dhe detajimin e projektit, ne do të jemi të gatshëm që të fillojmë më pas dhe të hedhim hapa për sa i përket buxhetimit edhe garës për bypass-in e Elbasanit, duke pasur parasysh dhe diçka shumë të rëndësishme që në zonën ku do të ndërtohet bypassi i Elbasanit ne kemi nisur punën për projektin e madh të pistës së Formula 1”, theksoi Balluku.
Në përfundim, ministrja shtoi se pas përfundimit të këtij aksi, në qershor do të jetë gati edhe punimet në aksin Labinot-Fushë dhe kthesën e Xibrakës.
Sfidë mbetet bypass-i i Elbasanit, ku menjëherë pas detajimit të projektit do të vijohet me procedurat e financimit. Ndërtimi i këtij bypass-i do të bëjë të mundur çlirimin e trafikut, pasi do të devijojë lëvizjen e automjeteve duke shmangur hyrjen përmes qytetit të Elbasanit.
Kreu i ARRSH-së, Evis Berberi tha se aktualisht po punohet në 4 lotet e para të aksit Elbasan-Qafë Thanë ku po avancohet me ritme të shpejta.
“Kemi katër segmente të hapura sot. Tek loti i parë filluam asfaltin, ndërkohë tek lotet e tjera gradualisht punojmë me shtresën mbushëse, me veprat e artit, me gërmimet dhe me krijimin e pilotave tek ura e madhe mbi lumin Shkumbin që na lidhë me zonën e Murrashit, ku do të ketë një devijim të madh me një tunel për të dalë matanë zonës së Murrashit”, tha Berberi.
Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII. Ndërtimi i këtij aksi do të lehtësoj qarkullimin e automjeteve duke shkurtuar kohën e udhëtimit si dhe duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore.



