Allegri: Kampionati nuk mbaron nesër. Ne e dimë forcën e Interit, por jemi shumë mirë...

Më në fund ka ardhur nata më e shumëpritur, mbrëmja e së dielës. Juventusi do të përballet me Interin në atë që do të jetë udhëkryq i vërtetë për sezonin e bardhezinjve. Në rast fitoreje, në fakt, Juventusi do të rikthehej në krye të tabelës, duke parakaluar zikaltërit, të cilët megjithatë do të duhet të rikuperojnë ndeshjen ndaj Atalantës, të shtyrë për shkak të angazhimeve në Superkupën e Italisë.

Një disfatë e mundshme e “Zonjës së Vjetër” do ta vendoste Interin në +4 pikë, me mundësinë që ta thellonte hendekun në +7 pikë, duke mposhtur Atalantën në sfidën e prapambetur. Praktikisht, skuadër e plotë për Allegrin, i cili konfirmon rikuperimet e Rabiot dhe Chiesa. Jo vetëm kaq, nënshkrimet e fundit Tiago Djalò dhe Alcaraz do të jenë gjithashtu në dispozicion për Inter-Juventus:

"Alcaraz do të stërvitet me ne sot, është i etur për të mësuar dhe për të bërë mirë. Djaló do të ingranohet ngadalë, sepse vjen nga një dëmtim i rëndë", – shpjegoi Allegri. Më tej, në konferencën për shtyp, trajneri bardhezi do të ndalej në shumë tema që lidhen me derbin italian në “San Siro”, por dhe situatën në skuadrën e tij:

“Do të jetë një mbrëmje e mrekullueshme sportive, në një stadium të shitur plotësisht. Jemi shumë mirë, por e dimë forcën e Interit. Është një fazë në rrugëtimin tonë të rritjes, por nga këtu deri në fund duhet të marrim shumë pikë për ta arritur objektivin tonë, që është Liga e Kampionëve.

Chiesa titullar? Nuk e di, do të vendos pas seancës së fundit stërvitore. Është e rëndësishme t’i kemi të gjithë në dispozicion në këtë pjesë të dytë të sezonit, ku do të luajmë shumë, duke pasur parasysh edhe Kupën e Italisë. Është një ndeshje e rëndësishme kundër Interit, por mbi të gjitha do të jetë një mbrëmje e bukur për ta përjetuar dhe luajtur me armët tona.

Aspekti psikologjik? Nuk është një kthesë vendimtare për kampionatin. Duhet të bëjmë atë që duhet për të arritur objektivin tonë, i cili nuk është titulli. E bukura e këtyre sfidave është se pritshmëria është shumë e madhe, por lojtarët duhet të luajnë lojën e tyre dhe të argëtohen.

Çfarë kemi për të humbur në “San Siro”? Si çdo skuadër, në çdo ndeshje gjithmonë duhet të fitosh, sepse të gjithë e fillojmë 0-0. Kur luajmë kemi gjithmonë diçka për të humbur. A i kemi tejkaluar pritshmëritë? Skuadra jonë është duke punuar në limite, por kjo nuk do të thotë së jemi pak a shumë të mirë. Grupi është koheziv dhe dëshiron të bëjë gjëra të rëndësishme. Ne grumbulluam 53 pikë, por na duhen akoma më shumë për të hyrë sërish në Champions League.

Ne kemi shumë respekt për Interin, sepse siç e kam thënë gjithmonë, janë skuadra më e fortë në kampionat dhe favorite për titullin. Kjo është e qartë për të gjithë. Për pjesën tjetër, nuk duhet të shpërqendrohemi nga gjërat e jashtme. Duhet të bëjmë më të mirën e mundshme në fushë për të marrë rezultat pozitiv.

Ndeshje që vendos titullin? Të shohim rezultatin, por ende kanë mbetur shumë ndeshje. Futbolli është i mbushur me ngjarje të papritura. Duhet të kesh ekuilibër dhe të dish se ka momente vështirësish, por gjëja më e ndërlikuar është t’i menaxhosh ato”.