Feja, pretekst për abuzim me të mitur, Altin Hazizaj: Kemi marrë një nisëm për ashpërsimin e ligjeve...
I ftuar në një lidhje nëpërmjet "Skype-it", në studion e lajmeve në televizionin "Ora News", ka qenë, Altin Hazizaj, drejtor ekzekutiv i CRCA.
I pyetur në qoftë se e gjykon se feja po përdoret si pretekst për abuzim Hazizaj tha:
"Kjo duhet vërtetuar, nuk bëhet fjalë vetëm për fenë myslimane, bëhet fjalë për të gjitha komunitetet fetare. E them këtë sepse rastësisht doli një informacion, dhe pavarësisht se martesat bëhen me fe ato nuk janë të njohura nga ligji. Fakti që këto ndodhin, fakti që feja ka lejuar që të ndodhin ngjarje të tilla, sjell në mendje raste të pafund të dhunës seksuale të fëmijëve nga Kisha Katolike, të cilat ata nuk janë ende në gjendje të përgjigjen dhe të jenë përgjegjës.
Të gjitha komunitetet fetare duhen hetuar. Ne kemi nevojë të rregullojmë ligjin penal përtej këtyre historive që janë të veshura për të mashtruar fëmijë."
Ndërkohë Hazizaj pranoi edhe bashkëpunimin me Erisa Xhixhon për ashpërsimin e ligjeve për këto situata monstruoze.
Kërkesa nga nënkryetarja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho:
“Reagime të tilla “post factum” në fakt zbulojnë shumë defekte dhe mangësi në tërësinë e institucioneve që kanë për detyrë parandalimin e akteve të abuzimit dhe dhunës ndaj fëmijëve dhe ndaj grave.
Duke vërejtur se mangësi ka edhe në legjislacionin tonë penal, pavarësisht ndërhyrjeve të shpeshta që janë bërë, e konsideroj domosdoshmëri ashpërsimin e ligjit penal për çdo veprim që cenon të miturit.
????️Ndaj, edhe si nën-Kryetare e Grupit Parlamentar "Miqtë e Fëmijeve" në bashkëpunim me CRCA / ECPAT Albania , kam depozituar në Kuvend projektligjin për shtesa dhe ndryshime në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, duke propozuar:
????-dënimin nga 10-15 vjet burg për cilindo të rritur që kryen veprime apo marrëdhënie seksuale me fëmijë nën moshën 16 vjeç,
????-dënimin me tridhjetë vjet deri në burgim të përjetshëm në rastet kur vepra sjell si pasojë zhdukje, vetëvrasjen ose vdekjen e fëmijës,
????-dënimin me 7-10 vjet të akteve si nxitja, shtytja apo manipulimi i fëmijës për ta shtyrë drejt marrëdhënieve seksuale etj.
Mjedisin ku rriten fëmijët tanë mund ta bëjmë më të sigurt së pari duke krijuar një front të reagimit qytetar, duke rritur ndjenjën e përgjegjësisë së familjes, shkollës dhe me rradhë gjithë të tjerëve, përfshirë edhe ashpërsimin e dënimeve penale për abuzuesit.
Fakti që po punohet për të miratuar Kodin e ri Penal, nuk mund të jetë argument për ta shtyrë miratimin e propozimit që po ju bëj me dije, i cili është vetëm hapi i parë për të parandaluar abuzime me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e tyre”, shprehet nënkryetarja e PL-së, njëherësh dhe deputete, Erisa Xhixho, e cila bën publike dhe amendamentet përkatëse për ndërhyrje në Kodin Penal.

