Përplasjet shkojnë edhe në Bruksel/ Majko e Bardhi “zihen” për ngritjen e komisioneve hetimore

Tensionet mes mazhorancës dhe opozitës në shqipëri janë shpërngulur në sallën e komisionit evropian në Bruksel.

Këtë radhë pa tymuese dhe zë të ngritur mazhoranca e opozita u kundërvunë për situatën e pazakontë që zgjat prej 3 muajsh.

Në komisionin për Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri Pandeli Majko solli në vëmendje hetimet që po realizon SPAK duke u ngritur deri në nivelin e zëvendëskryeministrit.

Por duke folur për opozitën theksoi se është e pamundur të ngrihen njëkohësisht 8 komisione.

Majko: Në tre muaj opozita po bllokon punimet. Parlamenti është mekanizëm i rëndë dhe jo një Ferrari. Opozita ka kërkuar 8 komisione hetimore. Që duhet të ketë 15 anëtarë. E kuptoni mbi ngarkesën. Nuk ka rezerva por opozita të kuptojë të drejtën dhe matematikën.

Madje Majko nuk nguroj të kërkonte bisedime me opozitën për të gjetur zgjidhje

Majko: Jemi gati të ulemi diskutojmë. Parlamenti nuk është institucion hetimor. Korrupsioni nuk duhet të jetë trajtim politik.

I menjëhershëm ishte edhe reagimi i gazmend bardhit. Ky i fundit theksoi se nuk janë kërkuar tetë komisione njëkohësisht.

Bardhi: Nuk kemi kërkuar tetë komisione hetimore njëkohësisht. Kemi tetë kërkesa gjatë dy viteve. Ekzaktësisht pas atij që përmendi Majko që ishte i suksesshëm dhe që fal tij SPAK prodhoi akuza për korrupsion ndaj ish zyrtarëve. Që prej aty mazhoranca ndaloi komisionet. Në sesionin e fundit janë rrëzuar tre kërkesa. Janë refuzuar katër kërkesa për interpelancë. Janë 31 projektligje të pashqyrtuara.

Bardhi vlerësoi Majkon për dialogun e kërkuar, por shtoi se mazhoranca nuk ka lënë hapësirë

Bardhi: Ligjet me porosi të mazhorancës miratohen pa u future në kalendar. Ndaj nuk kanë lejuar funksionimin normal të parlamentit. Pa këto të drejta. Vlerësoj gatishmërinë për dialog. Por në tre muaj nuk kemi gjetur dorën e shtrirë për dialog, kemi parë shtimin e masave agresive arrogante ndaj opozitës. Ndryshime të njëanshme nuk janë dorë e shtrirë. Por janë mesazh i mungesës së vullnetit. 

Gjatë diskutimit mbi Shqipërinë edhe eurodeputetët e vunë theksin te nevoja për dialog në shqipëri për të ecur me bisedimet e integrimit.