BE mbledh liderët e Ballkanit në Shkup, Rama: Plani për rritje ekonomike, mbështetje e integrimit të përshpejtuar të rajonit
Liderë rajonalë të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarë tjerë të lartë mblidhen sot, më 22 janar, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në punimet e konferencës së Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të rajonit.
Bëhet fjalë për konferencën “Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor dhe Integrimi më i Shpejtë në BE”. Prites i konferencës do të jetë kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të marrë pjesë në konferencë, ashtu sikurse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Malit të Zi, Millojko Spajiq dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Në takim do të ketë edhe përfaqësues prej Bosnje-Hercegovinës. Përveç tyre, Shtetet e Bashkuara do të përfaqësohen prej Ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.
Në mesin e zyrtarëve të BE-së do të jetë drejtori i Komisionit Evropian për Fqinjësi, Gert Jan Kopman dhe zyrtarë tjerë.
MESAZHI I RAMES
Ndërkaq kryeministri Edi Rama ka përcjellë dhe një mesazh për mediat në hyrje të takimit mes liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesve të BE, SHBA e institucioneve financiare ndërkombëtare, mbi Planin e Ri të Rritjes që Komisioni Europian ka futur tanimë në agjendën BE, për të mbështetur integrimin e përshpejtuar të rajonit tonë në Tregun e Përbashkët Europian, si edhe financimin e prioriteteve tona ekonomike.
Plani i BE-së për Ballkanin
Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan, në periudhën 2024-2027, është 6 miliardë euro. Pagesat është thënë se do të ekzekutohen vetëm pas përmbushjes së reformave të diskutuara.
Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE
Kroacia ka qenë e para prej vendeve të rajonit që ka aplikuar për anëtarësim në BE, më 2003 dhe e ka finalizuar procesin. Ndërkohë kanë aplikuar edhe vendet tjera, përfshirë Kosovën, më 2022.
Statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE kanë arritur ta marrin Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje – Hercegovina.
Nga këto vende, Serbia dhe Mali i Zi janë dy shtetet që kanë bërë më shumë përparim drejt anëtarësimit në bllokun evropian, pasi që kanë hapur disa kapituj në bisedimet për anëtarësim. Kosova nuk e ka as statusin e vendit kandidat.




