Marrëveshja me Italinë për migrantët, Rama: Shqipëria bëri atë që duhej, nuk shkelet asnjë vlerë evropiane
Kryeministri Edi Rama u ndal sot te marrëveshja me Italinë për migrantët, ndërsa theksoi se “Shqipëria po bënë pikërisht atë çfarë shkruhet në marrëveshjen evropiane”.
Rama iu përgjigj interesimit të medies mbi këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin bavarez, Markus Söder, Presidentin e EPP dhe liderin e grupit të EPP në Parlamentit Europian, Manfred Weber, kryetarin e grupit parlamentar të CSU për Bavarinë, Klaus Holetschek, pas adresimit të takimit tradicional të fillimvitit.
“Është shumë e rëndësishme të dëgjosh nga të dyja palët këtu në Gjemani, se ajo çfarë po bëjmë nuk është në shkelje të asnjë vlere evropiane dhe të asnjë vlere njerëzore, pasi nuk ishte e dukshme kur e nisëm këtë gjë dhe u përballëm me shumë kritika, sidomos nga miqtë e mi homologë socialistë në Evropë, ndërkohë që është shumë e thjeshtë në sytë e mi”, tha ai.
Rama tha se nëse kjo marrëveshje do të ishte lidhur, midis Italisë dhe Republikës Çeke apo nëse Shqipëria do të ishte Sllovakia, askush nuk do ta kishte zënë me gojë, do të kishte qenë gjëja me e natyrshme, solidaritet evropian “.
“Ka një marrëveshje brenda Bashkimit Evropian, që mbështetet tek koncepti i rishpërndarjes, ç’ka nënkupton se nuk mund të jetë mallkimi i Italisë që është toka e parë përtej detit Mesdhe që shihet nga Afrika dhe nuk mund te jetë mallkimi i Gjermanisë, që është Gjermania. Pra, të gjitha vendet duhet të marrin pjesë”, shtoi ai.
Kryeministri theksoi faktin se Shqipëria po bënë pikërisht atë çfarë shkruhet në marrëveshjen evropiane, një qendër pritjeje për të shqyrtuar çdo rast dhe për të kryer të gjitha procedurat bazuar në ligjet evropiane”.
“Kjo nuk duhet të jetë arsye për të ngritur një tjetër konflikt të pakuptimtë, të zbrazët e politik. Ka shumë konflikte politike bazuar në interesat e politikës së ditës kur vjen fjala për këtë temë e po kështu edhe për shumë tema të tjera dhe kjo është humbje kohe, kjo krijon huti mes njerëzve dhe kjo është të humbasësh horizontin për nga e ardhmja”, tha ai.
Kryeministri theksoi se kjo nuk është çështje e së majtës apo të djathtës, kjo është çështje e asaj çfarë BE dhe Evropa do të jenë 10 vite prej këtej.
“Ne besoj bëmë atë çfarë duhet të bënim sepse për ne BE nuk është një menu nga ku ti mund të zgjedhësh çfarë të pëlqen dhe lë atë çfarë nuk të pëlqen. Ndoshta do të donim që të kishim diçka tjetër për të bërë, por na duhet të përballemi së bashku. Nuk është diçka e lehtë, nuk është një temë mjaft e këndshme për t’u marrë sepse është objekt i kaq shumë diskutimeve, por duhet të japim kontributin tonë dhe nuk ka rëndësi nëse nuk jemi anëtarë të BE”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “ne kemi detyrën të sillemi si anëtarë të nderuar, dinjitozë, të cilëve u besohet plotësisht, të këtij komuniteti”.
“Nuk ka rëndësi që ju jeni BE apo që ne jemi E pa B. Nuk ka rëndësi. Kjo është mënyra se si e shoh dhe sigurisht, kjo është një përpjekjeje. Markusi e tha shumë mirë, duhet të shohim, duhet të vëzhgojmë sesi ecën sepse kjo është diçka e re. Do të nxirren mësime, do të bëhen përshtatje dhe vendet e tjera më pas mund të përshihen, por ju po flisnit për Turqinë këtu. Pse po flisnit për Turqinë? Sepse Turqia është burimi i korridorit ballkanik, pra nëse nga ajo anë do të ketë një valë tjetër, atëherë korridori ballkanik do të jetë si të thuash, korridori kryesor. Pra, pse të mos përpiqemi të shohim që tani një zgjidhje të përbashkët me korridorin ballkanik me vendet qe janë pjesë e tij me Maqedoninë e Veriut, Serbinë kryesisht, duke qenë se kalohet përmes tyre?”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se këto janë zgjidhje, të cilat së paku janë një përpjekje vullnetmirë dhe nuk e sheh këtë si një linjë partiake.
“Ne jemi qeveri socialiste, në Itali qeveria nuk është socialiste për të thënë më të paktën, por ky nuk është një problem socialist apo kristian-socialist, por ky është një problem evropian ndaj socialistët, kristianë-socialistët apo kristianë-demokratët apo të gjithë ata që kanë përgjegjësi për të përfaqësuar qytetarët e Evropës, duhet të punojnë së bashku për ta bërë këtë për qytetarët e Evropës sepse njerëzit në rrugë votojnë një të diel dhe pastaj për 4 vjet kanë të njëjtat probleme. Kështu që, nuk mund të merren me një debat të pakuptimtë dhe me politikën e ditës që humbet kohë dhe që i lë gjërat si janë e pastaj vjen një ditë, kur përballemi me një goditje, panikosemi dhe nuk dimë çfarë të bëjmë”, tha ai.
