Aleanca e Grave deputete kërkon ndëshkimin e Nokës dhe Bardhit: Intimiduan dhe dhunuan Açkën
Aleanca e grave deputete kërkon dënimin e dy demokratëve, Gazment Bardhi dhe Flamur Noka, për të cilët theksojnë se kanë ushtruar dhunë dhe intimiduar kryetaren e Komisonit të Medias, Flutura Açka.
“Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj Kryetares znj. Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision!
Dhuna është një akt që tregon dëshpërim. Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe.
Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire”, thuhet në deklaratën për mediat.
Deklarata e plotë:
Aleanca e Grave Parlamentare dënon me ashpërsi dhunën dhe intimidimin e ushtruar dje në Komisionin e Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik ndaj Kryetares znj. Flutura Açka dhe kolegeve tona deputete anëtare në këtë komision!
Dhuna është një akt që tregon dëshpërim. Përdoruesit e dhunës tregojnë hapur pamundësinë e tyre për të pranuar se ka mendim ndryshe, qëndrim ndryshe.
Dhuna ndaj grave është të mos kuptosh më vetitë më të rëndësishme njerëzore dhe të futesh në një tunel errësire.
Ne gratë deputete, shprehim indinjatë të thellë për atë që ndodhi dje si dhe për gjithë klimën e linçimit dhe përbaltjes së grave dhe kërkojmë vënien para përgjegjësive të autorëve të kësaj dhune.
Ne besojmë te politika e arsyes, e mendjes dhe e argumenteve të qarta dhe refuzojmë errësirën e së paarsyeshmes, dhunën që vjen si pasojë e mungesës së argumenteve.
Ne dënojmë aktet e dhunshme dhe shpresojmë që jo vetëm të mos përsëriten më, por Kuvendi të kthehet në shinat e normalitetit dhe të gjithë deputetët të bëjnë detyrën për të cilën qytetarët i kanë votuar.
Ne i sigurojmë qytetarët shqiptarë e në veçanti gratë shqiptare se do vijojmë të jemi zëri i tyre në Parlamentin e Shqipërisë dhe do të refuzojmë e përballemi me çdo akt dhune dhe që frymëzon dhunë ndaj grave.
