Komisionet hetimore/ Basha-Ramës: Pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonët e tu nuk e ndalin dot!

Ka ardhur edhe reagimi i kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha lidhur me dekretimin nga presidenti Begaj të ligjit për komisionet hetimore.

Basha shkruan se makinacionet e Edi Ramës për t’i pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta.

Ai shton se sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive.

Basha: Ai që nuk ka asgjë për të fshehur nuk i trembet transparencës. Makinacionet e Edi Ramës për ti pamundësuar opozitës transparencën e aferave korruptive përmes komisioneve hetimore tregojnë frikën e tij nga e vërteta. Por transparenca për aferat korruptive ku është zhytur sot qeveria, që po varfëron dhe detyron shqiptarët të largohen do të bëhet me patjetër.

Sot gjysma e qeverisë është në dyert e drejtësisë e prapa hekurave, dhe të gjithë ata që kanë abuzuar, së shpejti do të japin llogari për aferat e tyre korruptive. Kohës së pandëshkueshmërisë po i vjen fundi, kartonët e Edi Ramës nuk e ndalin dot.