I merr tokën pronarit dhe nuk i jep apartamentet. Gjykata dënon me 5 vite burg administratorin e firmës së ndërtimit
“Ora investigim” ka transmetuar konfliktin e lindur mes pronarit të truallit Bashkim Pasmaçiu dhe administratorit të një firme ndërtimi, i cili pasi ndërton pallatin në një nga zonat më të lakmuara të Tiranës nuk i jep asnjë apartament pronarit të tokës.
Sipas kontratës së lidhur mes palëve, pronari i truallit i dha firmës një vilë 3 katëshe dhe 120 metra truall dhe në përfundim të punimeve do të merrte 4 apartamente.
Kur Bashkim Pasmaçiu shkon për të marrë në dorëzim hyrjet sheh se bravat ishin ndryshuar dhe administratori i kishe shitur të katër apartamentet, ndërsa lekët nuk i kishte kaluar në llogarinë e firmës, por në llogarinë e tij personale.
“Drejt përfundimit. Ne i poseduam, i arreduam katër apartamentet takuese. Lidhëm kontratat e energjisë elektrike”, thotë vajza e pronarëve të truallit.
Gazetarja: Pse ju nuk i morët këto hyrje sipas kontratës?
Vajza e pronarëve të truallit: "Shoqëria “ALBA FLOR”, duke përdorur dhunë ndryshoi bravat, filloi të bënte dhunë psikologjike dhe nëpërmjet vëllait të tij, i cili ishte pjesë e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, kanë arritur të krijojnë konflikte qoftë edhe fizike me prindërit e mi”.
Ne kemi kontaktuar edhe me administratorin e shoqërisë “ALBA FLOR”, i cili është shprehur se fjalën e fundit e thotë gjykata.

Administratori i “ALBA FLOR”, Gëzim Ceka: Kjo çështje është në gjykatë.
Gazetarja: Çështja është se pse nuk keni respektuar kontratën? I morët truallin dhe i shitët apartamentet që duhet t’ia jepnit.
Administratori i “ALBA FLOR”, Gëzim Ceka: Çështja është se është duke u gjykuar në gjykatë...
Gazetarja: Gjykata ka vendosur...
Administratori i “ALBA FLOR”, Gëzim Ceka: Të lutem shumë mos më merrni më për këtë gjë.
Gazetarja: I morët tokën, a i dhatë hyrjet?
Administratori i “ALBA FLOR”, Gëzim Ceka mbyll telefonin!
Gjykata tashmë është shprehur dhe ka vendosur të dënojë me 5 vite burg Administratorin e firmës së ndërtimit për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
“Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Rrethit Tiranë, Dhoma Penale me akuzën e ngritur nga Prokuroria e Rrethit Tiranë për “Mashtrim me pasoja të rënda” me 5 vite burg. Vetë edhe Gjykata Penale e ka cilësuar në vendimin e saj që familja Pasmaçiu prej më shumë se 10 viteve me vendime të fituara, por të paekzekutuara. Kështu që tashmë do të vijojë me pjesën e ekzekutimit të vendimeve të gjykatës”, thotë vajza e pronarëve të truallit.
Sipas gjykatës, ky shtetas ka sjellë pasoja të dëmshme në pasurinë dhe jetën e familjes Pasmaçiu, të cilët prej 10 vitesh enden në procese gjyqësore civile të fituara, por pjesërisht të ekzekutuara.



