Balluku inspekton kantierin e lotit 3 të aksit Elbasan-Qafë Thanë: Shkojmë në daljen e re të dakordësuar me RMV-në

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe njëherësh zv.kryeministre, Belinda Balluku, inspektoi ecurinë e punimeve në kantierin e lotit të 3të të aksit Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII.

“Ndërkohë që po punohet në segmentin e dytë dhe të tretë të Korridorit të VIII, që nis nga Elbasani dhe përfundon në Qafë Thanë, praktikisht do të shkojmë në daljen e re të dakordësuar me Maqedoninë e Veriut.

Pasi synimi është që të kemi një dalje të re që do të lidhë dy vendet me një tunel rreth 5.8 km dhe do të jemi afër urës së Bushtricës”, informoi ministrja.

Balluku tha se Korridori i 8 pritet të jetë i aksesueshëm në vitin 2027, ndërsa theksoi se është parashikuar që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të lidhet edhe nëpërmjet një tuneli rreth 5.8 km.

“Korridori i 8-të do të pasurohet edhe me veprën e re nga Elbasani deri në Lekaj, në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, ku kryqëzohet dhe me Korridorin Adriatiko-Jonian.

Kështu do të kemi mundësinë të kemi një rrjet të plotë, i cili do të jetë në shërbim të Portit të Durrësit dhe Portit të Thatë, të vendosur në Strugë”, u shpreh Balluku.

Kjo rrugë parashikon dy By Pase ku ai i Elbasanit, sipas Ballukut do të ketë ndikim në zhvillin e ekonomisë.

Rruga pritet të ketë ndikim në zhvllimin e turizmit duke shkuruar distancën e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave.