Tensionet brenda opozitës, Mediu: Kemi një qeveri që i heq të gjitha të drejtat opozitës, vetëm reforma e zgjidh situatën

Të premten pritet të nisë punën Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, një mbledhje që pritet të realizohet vetëm nga anëtarët e mazhorancës dhe grupimit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.

Ndërkaq, kjo është kundërshtuar me forcë nga pjesa tjetër e opozitës e përbërë nga demokratët e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë.

Për të kuptuar më shumë mbi këtë situatë e cila tashmë ka degjeneruar këtë të mërkurë edhe në përplasje mes demokratëve Flamur Noka dhe Gazment Bardhit me deputeten Flutura Açka, pjesë e grupimit të PD-së së Bashës, i ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News” nga moderatorja Beti Njuma ishte Fatmir Mediu, kryetar i Partisë Republikane.

“Ky debat vijon edhe sot, dhe të gjithë deputetët e opozitës duhet të kenë përgjegjshmërinë ndaj atyre që i kanë zgjedhur. Dhe në rast kur kjo nuk kuptohet edhe për atë çfarë qeveria që po i bën opozitës kjo prevalon në këto situatë.

Këtu kemi një qeveri që i heq të gjitha të drejtat opozitës, dhe e vetmja mënyrë për ta zgjidhur këtë lloj situate, është reforma zgjedhore, e cila duhet të karakterizohet nga gjithëpërfshirja. Dhe për të shmangur veprimet e njëanshme në këtë reformë është të sigurohet e drejta e vetos në komision. Nga viti 2001 deri në 2012, reformat kanë qenë konsensuale dhe kanë sjellë rrotacion normal të pushtetit.

Kjo nuk ndodh që prej vitit 2013. Në 2017-ën u bë një marrëveshje e fshehtë që ka sjellë debatin e madh që marrëveshjet janë bërë për tu rishikuar, ose opozita t’i nënshtrohet pushtetit.

Dhe kjo duhet ndryshuar, pasi nëse nuk ndodh do të kemi përsëri një proces të manipuluar”, theksoi Mediu.