Tensionet në Kuvend, Xhixho: Mazhoranca po i heq çdo mekanizëm kontrolli që ka një opozitë
Të premten pritet të nisë punën Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, një mbledhje që pritet të realizohet vetëm nga anëtarët e mazhorancës dhe grupimit të Partisë Demokratike të drejtuar nga Lulzim Basha.
Ndërkaq, kjo është kundërshtuar me forcë nga pjesa tjetër e opozitës e përbërë nga demokratët e drejtuar nga Sali Berisha dhe Partia e Lirisë.
Për të kuptuar më shumë mbi këtë situatë e cila tashmë ka degjeneruar këtë të mërkurë edhe në përplasje mes demokratëve Flamur Noka dhe Gazment Bardhit me deputeten Flutura Açka, pjesë e grupimit të PD-së së Bashës, e ftuar në emisionin “Ora e Betit” në “Ora News” nga moderatorja Beti Njuma ishte Erisa Xhixho, deputete e Partisë së Lirisë.
“Asnjërit nga ne nuk i pëlqen ajo që po ndodh, por duhet kuptuar se çdo gjë ndodh jo pa shkak.
Për ne si opozitë kemi mbajtur një qëndrim të drejtë ndaj qasjes që ka treguar mazhoranca me moslejimin e ngritjes së komisioneve hetimore.
Nuk po flasim për çështje dytësore, por po flasim për hetime, korrupsion dhe llogaridhënie nga mazhoranca. Kjo është një situatë ku ne nuk mund të bënim më sikur kjo nuk po ndodh.
Janë refuzuar në mënyrë të njëanshme, jo një por 8 kërkesa për komisione hetimore.
Nuk dua të hyj në komentin për rastin me zonjën Açka, por kalimi i mbledhjeve online në mënyrë qesharake në shkelje të çdo ligji dhe rregulloreje të Kuvendit”, u shpreh Xhixho.


