Demokratët i lëshojnë nervat, Sula: Keqardhje nga sjellja e kolegëve të mi opozitarë, Bardhi e Açka kanë qenë shumë të afërt

Rikthimi i përplasjeve në komisionet parlamentare dhe debati për reformën zgjedhore kanë shkaktuar nervozizëm në radhët e vetë demokratëve, përçarja e të cilëve sa vjen e thellohet.

Lufta e nervave kulmoi në Komisionin e Medias ku Flamur Noka dhe Gazment Bardhi në vend të merreshin mes kundërshtarët e tyre politikë të PS-së, do të gjenin kohë të përplaseshin me demokraten tjetër Flutura Açka, e cila është pjesë e grupimit të Lulzim Bashës.

Pikërisht për këtë përplasje i ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte deputeti Dashnor Sula.

“Sinqerisht dua të shpreh keqardhjen time nga sjellja e kolegëve të mi opozitarë, dhe nëse duam ta quajmë veten kështu ne duhet të jemi më të përgjegjshëm ndaj popullit opozitar të cilët na kanë votuar.

Më vjen keq, pasi zonjën Açka e kam kolege të qarkut të Elbasanit, ashtu si dhe z. Bardhi, marrëdhëniet mes të cilëve kanë qenë shumë të afërta.”, u shpreh ndër të tjera ligjvënësi demokrat Dashnor Sula.