Osmani: Nuk duhet të vonohet procesi i negociatave me BE-në, çështje sigurie

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani u shpreh sot se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë negociatat me BE-në dhe të përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë, ndërsa shtoi se kjo është edhe çështje sigurie gjithashtu.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, Osmani vlerësoi se dy vendet janë shumë më tepër se fqinjë të mirë, janë vende mike.

“Ne kemi marrëdhënie të thella reciproke, me mbështetje reciproke jashtëzakonisht të lartë; partnerë dhe aleatë, vazhdojmë së bashku drejt ambicieve tona europiane për t’i parë të dy vendet si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian”, tha Osmani.

Të dyja vendet kanë zhvilluar në mënyrë aktive negociatat me BE-në për një vit, dhe përfunduan me sukses procesin screening.

Osmani bëri të ditur se “të dyja vendet morën nota të mira dhe janë gati t’i hapin klasterët e parë dhe kapitujt e parë të negociatave pa asnjë hezitim”.

“Për fat të keq, procesi i negociatave është aktualisht në një ndalesë, për të dyja vendet – dhe dua të theksoj se kjo është e gabuar.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapin klasterët dhe kapitujt dhe kjo nuk duhet të vonohet. Përkundrazi, të dyja vendet duhet të vazhdojmë negociatat dhe të përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë”, theksoi ai.

“Ne jemi aleatë të NATO-s, jemi vende që janë 100% në përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së; jemi vende që kemi zbatim të lartë të “Aqui”-së europiane në legjislacionin e brendshëm, vende që përfaqësojmë ruajtësit e vlerave të qytetërimit perëndimor, këtu në Ballkan, dhe qytetarët me të drejtë janë të padurueshëm për të marrë më shumë nga Europa tani.

Për të marrë hapjen e grupimeve dhe kapitujve që do të thotë një prani më e madhe e Europës këtu në vend, si dhe më shumë integrim tani, përpara anëtarësimit të plotë”, shtoi ai.

Kjo sipas Osmanit “është mënyra më e mirë dhe më efektive për reformën thelbësore të të gjithë sistemit shoqëror”.

“Kjo është gjithashtu çështje sigurie.

Në sfidat moderne të kërcënimeve hibride, ndikimeve të jashtme, por edhe një lufte kinetike aktive në tokën europiane, integrimi i Ballkanit Perëndimor në Europë është gjithashtu çështje politiko-sigurie.

Agresioni rus kundër Ukrainës meriton çdo dënim dhe ne jemi këtu të pandarë dhe të qëndrueshëm. Europa, sigurisht me pjesëmarrjen e thellë të SHBA-së, duhet ta forcojë praninë e saj në rajon, ta forcojë pjesëmarrjen e saj në politikat e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në këtë mënyrë jo vetëm të forcojë rolin tonë mbrojtës, por edhe të dërgojë një mesazh të fuqishëm parandalimi, si një nga politikat kryesore të sigurisë së Europës”, theksoi ai.

Duke u ndalur te marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve, Osmani tha se “për fat të keq, mbeten shumë prapa marrëdhënieve të shkëlqyera politike”.

“Shkëmbimi tregtar, i cili mezi i kalon 200 milionë euro, nuk korrespondon me kapacitetet e dy ekonomive, me potencialin e bizneseve, me afërsinë e dy vendeve dhe me marrëdhëniet e vendosura të ngushta. Ne marrim përsipër ta ngremë këtë çështje lart në prioritetet e diplomacisë”, shtoi ai.