Tensione në Komisionin e Medias, Noka i shkul mikrofonin Flutura Açkës: Po i shërbeni Ramës
Aksioni i opozitës në kuvend ka sjellë edhe përplasje të forta mes demokratëve. Gazmend Bardhi dhe Flamur Noka kanë protestuar në komisionin e drejtuar nga Flutura Açka. Përplasjet degraduan në konflikt të ashpër madje dhe me përplasje të mikrofonëve. Për mediet Açka u shpreh se mbështet kërkesën për komisione hetimore, por është kundër formës së zgjedhur për të reaguar. Ngjarjen e dënoi edhe Lulzim Basha dhe Lindita Nikolla.
Gazmend Bardhi u priu deputetëve të tij dhe të rithemelimit për në mbledhjen e komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që ishte planifikuar në orën 11 të së mërkurës.
Ndryshe nga kolegët socialist, kryetarja e komisionit Flutura Açka, deputete e PD-së, e kishte thirrur mbledhjen në sallë.
Sapo e deklaroi mbledhjen e hapur, Bardhi dhe flamur Noka e bënë të qartë se nuk do të lejohen diskutime për shkak të aksionit të opozitës.
Por pavarësisht kërkesave të tyre kryetarja e komisionit nuk e anuloi atë.
Gjithçka agravoi në ngritje tonesh.
Mikrofoni i Flutura Açkës u shkul nga vendi.
Socialistet Evis Kushi dhe Blerina Gjylameti kërkuan tërheqjen e Bardhit dhe Nokës.
Demokratet që e mbështesin Bashën u akuzuan se po i shërbejnë Edi Ramës, ndërsa Merita Bakiu i kujtoj Flamur Nokës se vjen nga një familje e persekutuar.
Gjatë 30 minutave sherr demokratët treguan edhe një herë se mes tyre nuk ka mbetur asnjë rrugë bashkëpunimi.
Për shkak të tensioneve mbledhja e komisionit të medieve u anulua. Açka deklaroi se është pro kërkesës për komisionet hetimore, por kundër formës së zgjedhur për protesta.
Lulzim Basha e dënoi ngjarjen ndërsa i quajti Bardhin dhe Nokën burrecë të vegjël.
Por imenjëhershëm ishte reagimi i Gazmend Bardhit që e quajti provokim mbledhjen teksa ai dhe rithemelimi kishin lajmëruar protestë.
Edhe kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla e dënoi ngjarjen në komisionin e medias.
