Bakiu: Projekti i Thumanë-Kashar izolon 85 mijë banorë të bashkisë Krujë
Deputetja e Partisë Demokratike, Merita Bakiu u shpreh sot se, projekti për aksin Thumanë-Kashar, nuk parashikon dalje nga rruga.
Sipas saj, “izolohen 85 mijë banorë të Bashkisë Krujë dhe kthehet në kosto për qytetarët dhe bizneset”.
Në një deklaratë për mediet Bakiu tha se, “projekti i autostradës Thumanë-Kashar, veç shifrës së madhe të atakueshme nga ekspertët e ekonomisë si koncesion, protestave të banorëve për shpronësimet, rrezikohet nga një tjetër skandal, atë të izolimit të 85 mijë banorëve të Bashkisë Krujë dhe gjithë bizneseve përreth”.
“Kjo problematikë kthehet në kosto, jo vetëm për banorët e zonës, por edhe qytetarët që vijnë nga veriu i Shqipërisë, Kosova sepse nuk ka dalje nga Thumana deri në Rinas dhe për të mbërritur në Krujë do të duhet të shkohet njëherë në Qafë Kashar e më pas të kthehesh për në qytetin historik dhe kulturor të Krujës të cilin e vizitojnë me dhjetëra mijëra turistë”, tha Bakiu.
“Mungesa e parashikimit të daljeve nga autostrada nxjerr jashtë funksionit mijëra biznese të vogla dhe të mëdha duke iu dhënë atyre kosto”, shtoi ajo.
“Ne i kërkojmë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Kryeministrit Edi Rama që të ngrihen në përgjegjësinë e detyrës, të ushtrojnë funksionet e tyre për të bërë transparencë projektin për qytetarët të cilët janë të shqetësuar, por edhe si detyrim ligjor në kuadër të informimit”, tha deputetja e PD.

