Kreu i OSBE në Shqipëri: Mirëpres përshpejtimin e punës për reformën zgjedhore

Përmes një postimi në rrjetet sociale Kryetarja në Detyrë të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Clarisse Pasztory shkruan se u takua sot me bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.

Ajo shton se mirëpret rifillimin e punës përmbajtësore të premten dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë dhe ekspertizë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe OSBE/ODIHR.

“U takova sot me bashkëkryetarët e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Mirëpres rifillimin e punës përmbajtësore të premten dhe përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë dhe ekspertizë nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe OSBE/ODIHR. Do të vazhdojmë takimet gjithëpërfshirëse për këtë reformë të rëndësishme, gjatë ditëve në vijim.”