Tabaku: Fuqia blerëse e familjeve shqiptare shkon për ushqime, paga mesatare është më e ulët se sa inflacioni

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot për situatën ekonomike në vend, ndërsa u shpreh se “kriza ekonomike është kriza e shpresës”.

Tabaku tha se “Shqipëria për vitin 2023 regjistroi edhe një herë pabarazinë më të lartë mes një pakice që përfiton lehtësi në taksa dhe shumicës që paguan barrën më të rëndë”.

“Veç kësaj, pabarazia mes rajoneve ndjehet gjithnjë e më shumë. Ndër 12 qarqe shumica e veriut vazhdon të ketë të ardhurat më të ulëta. Kukësi, ndonëse është propaganduar se ka përfituar një aeroport ka të ardhurat për frymë më të ulëta”, u shpreh ajo. Tabaku tha se “paga mesatare është më e ulët se sa inflacioni”.

“E gjitha kjo kur EUROSTAT raporton se 31% e PBB-së shkon për shpenzime bazike të shportës së ushqimeve. Shenjë e qartë që fuqia blerëse e familjeve shqiptare shkon për bukën e gojës, teksa inflacioni ka prekur veçanërisht shportën e ushqimeve”, theksoi ajo.

“Kush është zgjidhja e një qeverie që takson padrejtësisht shumicën?! Propaganda! Takso 95% të shqiptarëve, varfëro ¾ e tyre, godit shtresën e mesme dhe shpenzon buxhetin tek kontratat me PPP që fitohen nga një pakicë e përkëdhelur padrejtësisht”, u shpreh Tabaku.