Bumçi: Masakrimi i opozitarit serb, akt i dhunës shtetërore
Anëtari i Kryesisë së Rithemelimit, Aldo Bumçi u shpreh sot në një deklaratë për mediet se “masakrimi i opozitarit serb Sanduloviç, kundërshtar i serbomadhit Aleksander Vuçiç, nga falanga të pushtetit të krimittë Beogradit është një akt i shëmtuar politik”.
Ai theksoi se “Partia Demokratike e dënon me forcë këtë akt të dhunës shtetërore”.
“Dhuna e verbër, antishqiptare dhe antiopozitare, për arsyen se Sanduloviç ka kërkuar falje për krimet serbe në Kosovë, dhe ka vendosur lule në memorialin e Jasharëve në Prekaz, është një kambanë alarmi për shtysat e verbëra nacionaliste në rajonin tonë”, u shpreh Bumçi.
Sipas tij, dhuna e egër kundër kreut të Partisë Republikane serbe ndodh kur opozita në Beograd është në këmbë kundër manipulimit të zgjedhjeve nga regjimi i Vuçiç.
“Një regjim që bën gjithçka për të heshtur opozitën me intimidime, dhunë, vjedhje zgjedhjesh apo përçarje. Një skenar që e shohim në Tiranë prej vitesh tashmë, dhe që kulmoi me arrestimin e kryetarit të opozitës, Sali Berisha”, tha Bumçi.