Apeli i GJKKO lë në fuqi sekuestron, nuk i kthen celularin Monika Kryemadhit
Apeli i Gjykatës së Posaçme ka vendosur të lërë në fuqi masën për sekuestron e telefonit të Monika Kryemadhit.
Gjyqtarja Igerta Hysi rrëzoi sot ankimimin e bërë nga Kryemadhi më herët për të rrëzuar sekuestron. Telefoni i ish-kryetares së LSI i përket markës Iphone.
Kryemadhit i është sekuestruar celulari në funksion të hetimeve të SPAK në lidhje me lobimin e LSI në SHBA.
KOMUNIKIM PËR MEDIAN
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Igerta Hysi, sot më 04.01.2024, ora 09:30, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 189 akti, datë 27.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e ankueses M.K., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, që ka rrëzuar kërkesën e shtetases M.K. për heqjen e sekuestros dhe kthimin e sendit të sekuestruar (telefon i markës Iphone)”, dhe vendosi:
-Miratimin e vendimit nr. 481, datë 07.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

