Ofertë monstruoze për Calhanoglu nga Arabia Saudite; pagë tri herë më e madhe se ajo që merr tek Interi
Le të nisemi nga fjalët e Arrigo Sacchi-t, të publikuara për “Gazzetta dello Sport”: “Për mendimin tim, si regjisor i lojës, Hakan Calhanoglu është ndër tre më të mirët në Europë”.
Futbollisti turk e ka fituar këtë “etiketë”, e meritoi në një nga vitet më të rëndësishme të karrierës së tij, falë Simone Inzaghit dhe intuitës së këtij të fundit për ta spostuar në “dhomën e kontrollit” të lojës zikaltër.
Kjo lëvizje e ka ndryshuar në mënyrë drastike karrierën e Calhanoglu, i cili jo vetëm është kthyer në simbolin e Interit, por vazhdon të kërkohet nga klube të ndryshme në treg, madje edhe nga ata që dërgojnë oferta të mëdha nga Arabia Saudite.
Hakan Calhanoglu, sipas asaj që raporton “Gazzetta dello Sport”, ka përfunduar në “radarët” e Al-Hilal, skuadër që verën e kaluar, ndër të tjera nënshkroi me Neymar dhe Sergej Milinkovic-Savic.
Arabët i kanë ofruar mesfushorit turk një pagë monstruoze prej rreth 18 milionë euro në vit, për 4 sezone. Një total, me pak fjalë, 72 milionë euro.
Sërish, siç raporton “Gazzetta dello Sport”, Calhanoglu megjithatë e ka refuzuar për momentin ofertën e Al-Hilal. Propozimi do të jetë i vlefshëm edhe për verën e ardhshme, por synimi i mesfushorit turk duket se është vazhdimi i aventurës tek Interi.
Aktualisht, Hakan Calhanoglu ka kontratë deri më 30 qershor 2027 me Interin, pas rinovimit në korrik 2023. Shifrat, qartazi janë më të ulëta se ato të propozuara nga Al-Hilal: pak më shumë se 6 milionë euro në sezon, krahasuar me 18 milionë të ofruara nga arabët.


