ZYRTARE/ Mesfushori i Napolit, Elmas transferohet tek Leipzigu

Eljif Elmas është zyrtarizuar te Leipzigu pasditen e sotme.

Mesfushori i Maqedonisë së Veriut ka nënshkruar deri në vitin 2028.

Ai largohet nga Napoli pas katër sezoneve e gjysmë, periudhë gjatë së cilës zhvilloi 189 ndeshje dhe shënoi 19 gola.

Me fanellën e kaltër Elmas fitoi një kampionat dhe një Kupë Italie.

Ai do të zërë vendin e Forsberg, i cili u transferua te New York Red Bulls.

Rouven Schröder, drejtori sportiv i Leipzigut, nuk e fshehu entuziazmin për këtë transferim:

“Me blerjen e Eljif Elmas arritëm të siguronim një element të rëndësishëm në sulmin tonë pas largimit të Emil Forsberg.

Ne e kemi monitoruar Eljifin për një kohë të gjatë, sepse ai është një perspektivë interesante.

Do të përshtatet në mënyrë të përkryer me personalitetin e ekipit dhe do të jetë në gjendje të na ndihmojë me cilësitë e tij. Aftësia teknike e Eljifit është befasuese.

Ai është i shkathët, i pëlqen të vrapojë dhe driblojë dhe mund të shënojë.

Mund të luajë në qendër, por është po aq i përshtatshëm në krahë. Me cilësitë e tij ai do të sjellë diçka ndryshe në lojën tonë.

Pavarësisht se është vetëm 24 vjeç, ka luajtur në Itali dhe Turqi dhe ka shumë përvojë ndërkombëtare me Maqedoninë e Veriut.

Kjo është arsyeja pse ne jemi shumë të lumtur që kemi nënshkruar me të.

Shpresojmë që Eljif të përshtatet shpejt gjatë pushimit të shkurtër dimëror”.