U arrestuan për korrupsion, Dogana pezullon nga puna 2 punonjësit e pikës kufitare në Kakavijë
Pezullohen nga Dogana 2 punonjës të Degës Doganore në Kakavijë të cilët u arrestuan nën akuzën e korrupsionit.
Mësohet se në pranga ranë përgjegjësi i doganës dhe doganieri, ndërsa një tjetër punonjës i doganës është shpallur në kërkim.
Prokuroria ka dyshime se doganierë dhe efektivë policie ishin të përfshirë në skema korruptive në lidhje me procedurat e parregullta të zhdoganimit duke përfituar shuma parash.
“Komisioni disiplinor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave vendosi pezullimin nga puna për punonjësit e Degës Doganore Kakavijë dhe grupit të Antikontrabandës, për moszbatim të procedurave doganore.
Bazuar në Kodin Doganor theksojmë se është përgjegjësi personale e çdo punonjësi që të zbatojë procedurat sipas Kodit Doganor dhe Kodit të Etikës, të njihet me pasojat e moszbatimit të tij, si dhe të ruajë imazhin dhe statusin e Administratës Doganore.
Strukturat ligjzbatuese të ADSH-së kanë nisur hetimin e thelluar sipas legjislacionit në fuqi për këtë rast. Administrata Doganore bashkëpunon me të gjitha agjencitë e tjera ligjzbatuese për të ndëshkuar çdo abuzim me detyrën.” – thuhet në njoftim.
