Negociatat me BE-në, Ministrja e Shtetit: Zëri i shqiptarëve u ndje i fortë në Bruksel

Ministrja e Shtetit njëherësh Kryenegociatorja e Shqipërisë në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka deklaroi sot se, zëri i shqiptarëve u ndje i fortë në Bruksel.

Në fjalën e saj në takimin me skuadrën kombëtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama, Dhuka falënderoi institucionet pjesëmarrëse në këto negociata si, ILD, KLGJ, Bankën e Shqipërisë, AMA Autoritetin e Konkurrencës etj.

“Pastaj dhe aktualisht, me nisjen e procesit s’e mbante njeri më energjinë tonë. Simpatia filloi të rritej, vlerësimi për përgatitjen, përqafimet dhe fotografitë në mbyllje të takimeve bilaterale, të gjithë i kujtojmë, po edhe ndonjë pije për të festuar në atmosferën e Brukselit. E sigurt që zëri i shqiptarëve, u ndje i fortë, profesional, por edhe me përfshirje emocionale në Bruksel”, tha Dhuka.

Ajo theksoi se, “vetëm sa e kemi nisur punën e mirë”.

“Vitin që vjen Shqipëria do të shkojë fort me të gjitha zhvillimet dhe përgatitjet siç edhe kemi biseduar dhe do të vazhdojmë të bisedojmë”, theksoi Dhuka.

Ministrja u shpreh se, “ekipi ynë kombëtar i negociatave ka 36 skuadra në 6 formacione, ose siç i quajmë ne në gjuhën e negociatave grupkapituj.

Ajo falënderoi negociatorët e grupimit të parë. “Ju na e çelët mbarë procesin, por njëkohësisht përgatitët edhe kushtet e çeljes së negociatave për grupkapitullin e parë në një kohë rekord dhe Shqipëria i dorëzoi ato në datë 13 në Bruksel, në margjinat e Samitit BE- Ballkani Perëndimor”.