Sekretariati i Etikës së Kuvendit përjashton me 10 ditë tre deputetët demokratë

Kaosi në seancën parlamentare të së enjtes solli përjashtimet e tre deputetëve opozitarë.

Ligjvënësit demokratë Saimir Korreshi, Kastriot Piroli dhe Edmond Spaho do të vuajnë masën ndëshkimore prej 10 ditësh, vendim ky i marrë nga Sekretariati i Etikës me kërkesë të deputetëve socialist.

3 deputetët demokratë nuk do të lejohen në seancën parlamentare si dhe punimet e komisioneve të kuvendit, për shkak të trazirave të shkaktuan të enjten.

Përfaqësuesit e mazhorancës në kërkesën e tyre ngritën pretendimet se Saimir Korreshi dhe Edmond Spaho ndezën mjete tymuese në sallën plenare, të mundësuara nga Kastriot Piroli. Gjithashtu zhurma gjatë seancës si dhe bllokimi i foltores ishte një tjetër pretendim i socialistëve.

Numri i deputetëve të përjashtuar nga parlamenti tanimë shkon në 10, ndërsa seance e radhës, ajo e 21 dhjetorit do të jetë e fundit për sesionin e këtij viti.

Grupimi Berisha-Bardhi kanë lajmëruar prej muajsh se nuk do të ndalojnë aksionin opozitar për sa kohë që nuk plotësohen kërkesat e tyre për ngritjen e komisioneve hetimore.