Rasti “Qyno”, Bardhi: Askush s’mund të intimidojë dhe cënojë një gazetar. SPAK duhet urgjentisht të sqarojë ngjarjen

Gazetari i “Ora News” Elton Qyno prej orës 11:00 të paradites së djeshme dhe deri në orën 2 të mëngjesit të ditës së sotme ndodhej në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Nga banesa e tij Qyno është shprehur se u mbajt në SPAK deri në orën 17:00 dhe u njoftua se kishte një vendim Gjykate për t’i kontrolluar shtëpinë, zyrën dhe automjetin.

Ndër të tjera gazetari u shpreh se pas deklaratës së dhënë ka patur presione për të treguar burimin e informacionit.

Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar me dhjetëra gazetarë në mbështetje të kolegut, ndërsa kërkojnë nga SPAK që urgjentisht të bëjë transparencën e seancës me Qynon.

Ndërkaq një reagim vjen nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.

“Lajmet për veprimet e SPAK ndaj gazetarit Enton Qyno janë shumë shqetësuese.

Askush nuk mund të intimidojë dhe cënojë një gazetar në përmbushjen e detyrës së tij.

Nëse veprimet janë vetëm për të gjetur burimin, kjo do të përbënte cënimin më të rëndë ndaj lirisë së medias.

SPAK duhet urgjentisht të sqarojë motivet dhe ligjshmërinë e veprimeve të veta, si dhe të garantojë ushtrimin pa asnjë pengesë të misionit të gazetarit për informimin pa asnjë presion të opinionit publik”, shprehet Bardhi.