Berisha: Prokuroria politike rrëmbeu gazetarin, Qyno informoi publikun se cila është dosja që është shitur nga skapistët
Gazetari i “Ora News” Elton Qyno prej orës 11:00 të paradites së djeshme dhe deri në orën 2 të mëngjesit të ditës së sotme ndodhej në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Lidhur me këtë ngjarje kanë reaguar me dhjetëra gazetarë në mbështetje të kolegut, ndërsa kërkojnë nga SPAK që urgjentisht të bëjë transparencën e seancës me Qynon.
Nga mbledhja e Kryesisë së PD-së, ish-kryeministri Sali Berisha u shpreh se ditën kur mblidhej samiti i Brukselit, prokuroria politike e Edi Ramës rrëmbeu gazetarin Qyno.
“Edi Rama është autor kryesor i bllokimit të hapjes së negociatave me Shqipërinë, sepse Shqipëria është vendi i dhunimit të egër të të drejtave të lirisë së medias dhe gazetarëve.
Ditën kur mblidhej samiti i Brukselit, prokuroria politike e Edi Ramës si një qelizë terroriste, rrëmben një gazetar në dhunim të ligjeve të vendit dhe ligjeve ndërkombëtare të medieve, për fajin e vetëm se ai ka publikuar dosjen që ata vetë e kanë shitur me shuma ndoshta miliona euro te bandat.
Cilido që lexon publikimin e guximshëm të Elton Qynos, i dërgon atij urimet më të mira për misionin.
Se me publikimin, Qyno informoi publikun shqiptar dhe ndërkombëtar se ja cila është dosja që është shitur nga skapistët.
Një gjë është e sigurt, se Qyno nuk ka hyrë në dhomat e skapistëve për t’ua vjedhur dosjen. Dhe ai ka meritë të veçantë që informoi publikun për tregun kriminal të dosjeve të krimit nga grupe të strukturuara kriminale brenda SPAK-ut.
Ditën që në deklaratën e liderëve europianë për Shqipërinë, kërkohej nga Shqipëria respektimi i lirisë së medieve, rrëmbehej gazetari pa avokat në zyrat e policisë sekrete të Edi Ramës, Skapit të partisë.
Pra, edhe njëherë, nuk janë problemet që ka Europa, që kanë vendet evropiane, ato kanë qenë, janë dhe do jenë se gjithmonë krijohen mes vendeve fqinje, mes vendeve të lira, por janë qëndrimet mafioze të narkodiktatorit Edi Rama që nuk lejuan vendimin pozitiv të çeljes së negociatave për kapitujt e parë me Shqipërinë”, deklaroi Berisha.


