DASH vlerëson Shqipërinë, raporti për 2022: Korrupsioni ende pengesë, ka radikalizim të të rinjve

Shqipëria është vlerësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit për përpjekjet në luftën kundër terrorizmit. Në raportin e publikuar, evidentohet bashkëpunimi me agjencitë për parandalimin e fenomenit. Megjithatë vërehet mungesë e bashkëpunimit mes vetë agjencive shqiptare për vitin 2022. Monitorim i shtuar është bërë edhe për përpjekjet mbi radikalizimin e të rinjve

Departamenti Amerikan i Shtetit ka vlerësuar me nota pozitive Shqipërinë sa i përket luftës kundër terrorizmit. për vitin 2022, DASH e vuri theksin tek bashkëpunimi i vendit tonë me agjencitë amerikane për të parandaluar sulme të mundshme që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

“Njësia Kundër Terrorizmit e Policisë së Shtetit Shqiptar punoi ngushtë me agjencitë amerikane për të harmonizuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për kundër terrorizmin me ekspertizën dhe burimet e SHBA-së, duke siguruar që qeveria shqiptare të zhvillojë aftësi të përqendruara”,  thuhet në raport.

Megjithatë korrupsioni dhe mungesa e bashkëpunimit për informacione ndërmjet agjencive shqiptare, sipas raportit të SHBA bëhen pengesë për zbatimin e ligjit në përpjekjet kundër fenomenit.

“Korrupsioni dhe pengesat për ndarjen e informacionit ndërmjet agjencive qeveritare, koordinimi i pamjaftueshëm brenda agjencive dhe një sistem i dobët gjyqësor vazhduan të pengojnë përpjekjet e zbatimit të ligjit të Shqipërisë në të gjitha nivelet, përfshirë ato që lidhen me luftën kundër terrorizmit.” nënvizon raporti.

Si kërcënim për vendin, SHBA gjithashtu evidenton dhe përpjekjet e organizatave të huaja terroriste për të radikalizuar të rinjtë shqiptarë në dhunë.

“Departamenti i Shtetit mbikëqyri zbatimin e një granti të gjashtë të CVE për Komunitetin Mysliman Shqiptar, i cili përfshinte angazhimin e klerit islamik me të rinjtë në rrezik, prindërit e tyre dhe udhëheqësit qytetarë për t'i larguar të rinjtë nga radikalizimi drejt dhunës, si dhe informimin e tyre për parimet demokratike, të drejtat e njeriut, angazhimin qytetar dhe tolerance.”

Më tej në raport nënvizohet se Shqipëria ka ndërmarrë hapa drejt përmirësimit ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Gjithashtu vlerësohet dhe fakti se gjatë vitit 2022 në Shqipëri nuk ka pasur incidente terroriste.