Moti i keq/ Nesër pezullime të lundrimeve drejt Italisë në portet e Durrësit e Vlorës
Drejtoria e Përgjithshme Detare informoi sot se në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike në datat 30 nëntor deri në 2 dhjetor do të jetë i përkeqësuar.
Sipas DPD, moti do të jetë i përkeqësuar përgjatë bregdetit shqiptar duke filluar nga ora 16:00 datë 30 nëntor në drejtimin jug-juglindje deri në forcën 6-7bft me shpejtësi ere deri 25m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 3.5 metra.
DPD njofton drejtuesit e mjeteve te vogla lundruese dhe anijet e peshkimit që operojnë përgjatë bregdetit shqiptar të kenë në konsideratë kushtet e parashikuara të përkeqësuara dhe marrjen e masave për sigurimin e tyre me qëllim parandalimin e situatave dhe incidenteve detare gjatë këtyre datave.
Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën e Vlorë-Brindisi-Vlorë ditën e sotme do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve. Nesër do të pezullohen deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike.
Anija e linjës Durrës-Ankona -Durrës do të operojë normalisht, ndërsa anijet e linjës Durrës -Bari -Durrës ditën e sotme do të operojnë normalisht.
Ditën e nesërme do të pezullohen lundrimet në të dyja drejtimet. Anijet e linjës Sarandë-Korfuz-Sarandë operojnë normalisht.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 22:00 të datës 2 dhjetor.


