Ora Investigim/ Ku "humbën" 24 ton produkte ushqimore te skaduara ELKA?

Siguria  ushqimore  do jetë ne fokus të ‘Ora Investigim’ pas informacioneve të  mbërritura  në lidhje me  produktet ushqimore që duhen asgjësuar.

 Sipas ligjeve ne fuqi kur një subjekt do të kryej një procedurë asgjësimi duhet të informojë Drejtorinë e Tatimeve, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit dhe Agjencinë  Kombëtare të Mjedisit.

TV Ora News  iu drejtua me një kërkesë për informacion Autoritetit Kombëtar te Ushqimit  dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit ku u parashtrua e njëjta pyetje:

Sa produkte ushqimore të skaduara  ka asgjësuar kompania ELKA nga janari i vitit 2020 deri në gusht 2023?

AKM në përgjigjen e saj na informon se gjatë kësaj periudhë kompania ELKA ka bëre dy asgjësime, i pari ne dhjetor 2020 dhe i dyti  po në dhjetor 2022.

Ndërkohë AKU në përgjigjen zyrtare na bënë me dije se  ELKA nuk ka kryer dy, por tre asgjësime  duke shtuar edhe një asgjësim produktesh 24.2 ton të kryer ne 13.12.2021.

Pyetja në këtë rast shtrohet a e ka asgjësuar kompania sasinë 24 ton ushqime të skaduara ? Nëse po, pse nuk rezulton  procesverbali i kësaj proceduare te AKM?

Ne këtë rast Agjencia Kombëtare e Mjedisit nuk ka asnjë dijeni për asgjësimin e 24 ton produktesh të skaduara nga ELKA dhe  te ky institucion mungon procesverbali i asgjesimit të datës 13 dhjetor 2021.

Ku përfunduan  këto ushqime të skaduara? Nëse asgjësimi është kryer  pse nuk  janë njoftuar inspektorët e mjedisit për të qenë  prezent në këtë proces, i cili  nuk mund të bëhet pa prezencën e tyre?

Është pikërisht AKM institucioni i cili duhet të ketë informacion se ku do transferohen dhe si do asgjësohen  ushqimet e skaduara. Për më tepër ky proces duhet të dokumentohet me foto dhe video.

Tashme janë institucionet përgjegjëse  qe duhet te sqarojnë situaten dhe të kryejnë hetim të thelluar se  cili ka qene destinacioni final i 24 ton produkteve të  destinuara për asgjësim.