Duka flet për talentin që luan në Seria A: Është gati për “Euro 2024”, mund të na ndihmojë
Kombëtarja shqiptare arriti një sukses të jashtëzakonshëm këtë vit, duke u kualifikuar si kokë e grupit E për në finalet e ardhshme të Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.
Një arritje mëse e merituar për kuqezinjtë, të cilët në total grumbulluan 15 pikë, ku në 8 ndeshje siguruan 4 fitore, tre barazime dhe vetëm një humbje. Media italiane ‘Sport Italia’ shkruan për këtë sukses të Shqipërisë, ndërsa ka zhvilluar një intervistë me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Një nga temat interesante ishte edhe kur foli për talentin Marvin Çuni për të cilin ka fjalët më të mira.
“Marvin është sulmuesi i së ardhmes, një futbollist që është rritur në një nga akademitë më të mira të futbollit në botë siç është Bayern Munich. Po merr minutat e tij te Frosinone dhe po bën mjaft mirë. Mendoj se për momentin duhet të fokusohet te skuadra aktuale e të rritet si lojtar dhe jam i bindur që në një të ardhme do të shpërthejë.
Uroj që gjithçka t’i shkojë mbarë dhe t’i ngjisë shumë shpejt shkallët e karrierës. Sylvinho është ai që vendos kë të thërrasë në skuadër, por për mua Çuni është gati dhe mund ta ndihmojë shumë Kombëtaren në Euro 2024”, deklaroi Duka.

