FSHB, Ponari prezanton Sekretarin e Përgjithshëm dhe trajnerin e ri të Kombëtares së Basketbollit

Franko Bushati është përzgjedhur Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, ndërsa Erkand Karaj trajneri i ri i saj.

Ishte Presidenti i FSHB-së, Avni Ponari, i cili me anë të një konference për shtyp prezantoi numrin dy të Federatës dhe teknikun e ri të Kombëtares.

Avni Ponari: “Jo vetëm si basketbollist, por edhe si Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Franko Bushatin, ish-basketbollist i Kombëtares dhe 15 vite lojtar në ekipet italiane”.

Pas fjalës së presidentit, fjala i kaloi Bushatit, i cili u shpreh se detyra e re, po aq sa e nderon njëkohësisht mbart edhe përgjegjësi.

Franko Bushati: “Sot jam këtu në një detyrë të re që është prestigjioze dhe më nderon dhe në të njëjtën kohë ndjej shumë përgjegjësi. Dua të sjell eksperiencën që kam fituar jashtë shtetit”.  

38-vjeçari është një ndër basketbollistët më profesionistë dhe më të suksesshëm në vendin tonë.

Bushati është rritur profesionalisht në Romë të Italisë, aty ku ai filloi dhe vazhdoi karrierën e tij.

Në vitin 2003, Bushati bashkë me Kombëtaren kuqezi fitoi medaljen e artë në Maltë, duke fituar FIBA EuroBasket Division C Under-18, ende sot një nga të paktët tituj prestigjozë të fituar nga një kombëtare shqiptare.

Bushati ishte shënuesi i dytë më i mirë i Kombëtares dhe i treti më i mirë i turneut.